Kryetari i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka reaguar me ironi pas protestës së Partisë Demokratike, duke theksuar se beteja e vërtetë është qëndresa e vazhdueshme në shesh, dhe jo pjesëmarrja simbolike për pak orë.
“Shumë demokratë më thoshin ‘Adriatik na u bashko’, por unë iu përgjigja: t’u bashkohemi për çfarë? Nëse është për të qëndruar në shesh dhe ta detyrojmë Edi Ramën të tërhiqet, këtu jemi, dakord. Por t’u bashkohemi që pas dy orësh të ikim prapë, nuk e bëjmë këtë punë,” u shpreh Lapaj.
Ai shtoi se qëndresa e vazhdueshme i jep jehonë problemit në mbarë vendin dhe ushtron presion mbi aktorë të tjerë opozitarë që të bashkohen në protesta.
“Përmes qëndresës nuk po lejojmë që të mbyllet kjo plagë, po bëjmë presion edhe mbi vetë aktorë të tjerë opozitarë që të vijnë dhe të përballen,” deklaroi Lapaj.
Lapaj ka theksuar gjithashtu se pjesëmarrja simbolike dhe largimi i shpejtë nga sheshi nuk sjell rezultate, duke bërë thirrje për një angazhim më të qëndrueshëm dhe të organizuar të qytetarëve.



