Transmetuesi britanik BBC i ka dedikuar një reportazh të zgjeruar Shqipërisë, përmes gazetares Emily Wither, e cila ka vizituar vendin për episodin e emisionit “Assignment”. Dokumentari vë në fokus zhvillimet e fundit në jug të vendit, si dhe potencialin e Shqipërisë për t’u shndërruar në një destinacion të turizmit luksoz.
Reportazhi trajton investimet e planifikuara në zona si ishulli i Sazanit dhe Zvërneci, si dhe projektin e Aeroportit të Vlorës, duke i analizuar ato si pjesë e një transformimi më të gjerë ekonomik dhe turistik. Në dokumentar përmenden gjithashtu emra investitorësh ndërkombëtarë, përfshirë Ivanka Trump dhe Jared Kushner, të cilët synojnë zhvillimin e resorteve turistike në vend.
Gazetarja thekson se Shqipëria paraqet një realitet të dyfishtë. Nga njëra anë, ndërtime të reja, vila moderne dhe projekte turistike në zhvillim; nga ana tjetër, struktura të vjetra, ndërtesa të rrënuara dhe hotele të papërfunduara që tregojnë sfidat e zhvillimit ekonomik.
Në qytetin e Vlorës, reportazhi evidenton kontrastin mes plazheve me potencial të lartë turistik dhe kushteve të jetesës së disa banorëve lokalë, ku shtëpitë e improvizuara dhe mungesa e infrastrukturës krijojnë një hendek të dukshëm social dhe ekonomik.
Një pjesë e rëndësishme e dokumentarit i kushtohet Aeroportit të Vlorës, një projekt strategjik për zhvillimin e turizmit në jug të vendit. Punimet në këtë aeroport, sipas reportazhit, janë përballur me vonesa për shkak të terrenit të lagësht dhe përmbytjeve të shpeshta në zonë.
Emily Wither ka biseduar edhe me ekspertë lokalë, përfshirë biologun Xhemal Xherri, i cili ka ngritur shqetësime mbi qëndrueshmërinë e zonës, duke theksuar se përmbytjet janë të zakonshme dhe mund të ndikojnë në realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore.
Reportazhi nënvizon gjithashtu se trashëgimia e së kaluarës komuniste në Shqipëri vazhdon të ketë ndikim, me çështje të pazgjidhura si pronësia e tokës, akuzat për korrupsion dhe mungesa e zhvilluar e infrastrukturës, të cilat mund të përbëjnë pengesa për investimet dhe projektet turistike.
Në përfundim, BBC e paraqet Shqipërinë si një vend në tranzicion, ku potenciali për zhvillim të turizmit luksoz ekziston, por përballet me sfida strukturore dhe sociale që mbeten ende për t’u adresuar.



