Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar regjistroi sot një tjetër seancë të dështuar në kuadër të shqyrtimit paraprak të dosjes “Meta”. Seanca u shty për datën 27 nëntor, pasi në sallë mungoi avokati i kreut të Partisë së Lirisë, Kujtim Cakrani.
SPAK e mbylli hetimin më 28 korrik dhe në fund të gushtit përcolli për gjykim dosjen e përbashkuar, që përfshin tre çështje. Aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Sipas SPAK, Pirro Xhixho përballet me akuzën e korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi akuzohet për pastrim parash së bashku me Ema Çokun.
Meta ndodhet në masën e sigurisë “arrest në burg” që prej tetorit të vitit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi vijon të jetë nën masën “detyrim paraqitje”. Përplasjet lidhur me mungesën e mbrojtjes së Metës pritet të shtyjnë edhe më tej nisjen e gjykimit përfundimtar të një prej dosjeve më të bujshme të SPAK.



