Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka folur nga Zvicra, duke sulmuar kreun e SPAK, Altin Dumani, pas deklaratave të tij në parlament lidhur me mundësinë që Ahmetaj të japë informacione si bashkëpunëtor i drejtësisë.
Në një intervistë për Syri TV, Ahmetaj tha se teknika ligjore për bashkëpunëtorin i referohet vetëm personave që kanë kryer krime, dhe theksoi:
“Unë nuk kam pse të jem bashkëpunëtor pasi nuk kam kryer asnjë krim. Nuk po flas për prezumimin e pafajësisë, që kryeprokurori i SPAK e referon parlamentit dhe thotë se jam i mirëpritur si bashkëpunëtor. Reforma ka dështuar. Altin Dumani është dështimi i Reformës në Drejtësi.”
Ahmetaj vijoi duke kritikuar qeverinë dhe institucionet e drejtësisë:
“Kush është armik i Ramës, tërhiqet zvarrë. Kam pasur besnikëri dhe dashuri për një njeri që ka pasur një thikë në dorë.”
Ai akuzoi gjithashtu Belinda Ballukun dhe SPAK-un për ndërhyrje në jetën e tij familjare:
“Prokuroria e Posaçme më ka shkatërruar jetën familjare me hetimet e saj. Dumani më është bërë ushqim, por shqiptarët do ta njohin pafajësinë time.”
Deklaratat e Ahmetajt vijnë në një kohë kur hetimet ndaj tij dhe personave të lidhur me inceneratorët kanë tërhequr vëmendje të madhe publike, duke nxitur debat mes politikës dhe drejtësisë.



