back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 25 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaAKEP: Ulje me 57% e tarifave të telefonisë fikse deri në vitin...

AKEP: Ulje me 57% e tarifave të telefonisë fikse deri në vitin 2027

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka propozuar një ulje të ndjeshme të tarifave të terminimit të thirrjeve në rrjetet fikse, duke synuar t’i afrojë ato me standardet e Bashkimit Evropian.

Sipas të dhënave të AKEP, aktualisht këto tarifa në Shqipëri janë disa herë më të larta se mesatarja e vendeve të BE-së, ku aplikohet një nivel i përbashkët prej 0.07 eurocent për minutë.

Në analizën e tregut të telefonisë fikse, AKEP parashikon që ulja e tarifave të ndodhë gradualisht nga 1 marsi 2026 deri më 1 mars 2027, sipas këtij kalendari:

Nga 0.7 lekë/minutë aktualisht, tarifa të bjerë në 0.3 lekë/minutë më 1 mars 2026;

Në 0.15 lekë/minutë nga 1 shtatori 2026;

Në 0.07 lekë/minutë nga 1 marsi 2027.

Autoriteti sqaron se për shkak të situatës së tregut në Shqipëri, nuk është ngritur një model i pastër i kostove (BU LRIC), por është përdorur metoda e benchmark-ut, duke marrë për bazë tarifat mesatare të BE-së dhe rajonit.

AKEP vëren një rënie të vazhdueshme të përdorimit të telefonisë fikse, e cila lidhet drejtpërdrejt me rritjen e shërbimeve celulare. Në fund të vitit 2024, në Shqipëri rezultonin 165.380 pajtimtarë të telefonisë fikse, një ulje me 4.5% krahasuar me një vit më parë dhe me 35% më pak në harkun e një dekade.

Norma e penetrimit të telefonisë fikse në vend është vetëm 6.9%, shumë më e ulët se mesatarja botërore prej 11% dhe dukshëm më poshtë vendeve të zhvilluara, ku ky tregues arrin rreth 33%.

Sot në Shqipëri operojnë 29 operatorë fiks, por tendenca afatgjatë, sipas AKEP, është qartësisht drejt zëvendësimit të këtij shërbimi me alternativa më fleksibël e bashkëkohore të komunikimit elektronik.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat