Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar pas vendimit të Departamentit të Shtetit për pezullimin e lëshimit të vizave emigruese për një listë vendesh, përfshirë Shqipërinë. Në njoftimin e saj, Ambasada sqaron se ky vendim prek vetëm vizat e reja emigruese dhe nuk ndikon në vizat turistike ose ato që janë lëshuar më parë.
Pezullimi hyn në fuqi nga 21 janari 2026 dhe ka për qëllim që emigrantët të jenë financiarisht të vetë-mjaftueshëm dhe të mos përbëjnë barrë për shtetin amerikan. Shtetasit me dyshtetësi që posedojnë pasaporta të vendeve të tjera jo të listuara janë të përjashtuar.
Çfarë do të ndodhë me takimet për vizat emigruese?
Aplikantët nga vendet e prekura mund të dorëzojnë aplikimet dhe të marrin pjesë në intervista, por asnjë vizë emigruese nuk do të lëshohet për këta shtetas gjatë periudhës së pezullimit.
Ndikimi në vizat aktuale dhe turistike
Vendimi nuk prek vizat emigruese të lëshuara më parë dhe nuk ka ndikim në vizat turistike, të cilat vazhdojnë të lëshohen normalisht.
Sipas njoftimit të Ambasadës, politika synon që emigrantët nga vendet me rrezik të lartë të mos përdorin ndihma sociale në SHBA dhe të mos konsiderohen barrë publike.
Lista e vendëve të prekura përfshin, përveç Shqipërisë, vendet si Afganistan, Algjeri, Armenia, Bangladeshi, Bjellorusi, Brazil, Kamboxhia, Irani, Irak, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rusia, Siria, Ukraina dhe shumë të tjera.
Ky vendim vjen si pjesë e rishikimit të plotë të politikave dhe rregulloreve për emigracionin nga Departamenti i Shtetit, sipas udhëzimeve të Presidentit Trump, i cili ka theksuar rëndësinë e vetë-mjaftueshmërisë financiare të emigrantëve dhe mbrojtjen e shpenzimeve publike.



