back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024
spot_img
KreuOpinion dhe AnalizëAmbasada e Republikës së Shqipërisë në Uashington/ "Demokracia kërkon qetësi dhe maturi"

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Uashington/ “Demokracia kërkon qetësi dhe maturi”

Nga Lutfi Dervishi

Uashington D.C., Nëntor 2024

Deklaratë zyrtare mbi rezultatet e zgjedhjeve në SHBA

Ndërsa numërimi i votave (dhe rinumërimi i tyre) vijon dhe paditë gjyqësore pritet të grumbullohen, si trafiku i makinave në Tiranë, Ambasada u bën thirrje të gjitha palëve në Amerikë të ruajnë qetësinë, të respektojnë parimet demokratike dhe të shmangin përshkallëzimin e situatës.

Në këtë deklaratë solemne, Shqipëria, një vend që njeh mirë ndërlikimet kaotike të demokracisë, shpreh dëshirën e saj të sinqertë që populli amerikan të shmangë kurthet e njohura të akuzave për manipulim dhe vjedhje votash, përplasjet në qendrat e votimit, mos njohje të rezultatit të zgjedhjeve dhe të tjera akte që kanë prekur prej kohësh proceset demokratike në botë.

Ndër të tjera nënvizohet:

A. Respektimi i vullnetit të sovranit: “Shqipëria, i kujton autoriteteve amerikane rëndësinë e pranimit të vullnetit të popullit. I kujtojmë Shteteve të Bashkuara se demokracia kërkon durimin e shenjtorëve dhe përulësinë e humbësve. Nëse Shqipëria ia ka dalë prej disa dekadash me zgjedhjet e pastra, atëherë edhe Shtetet e Bashkuara mund t’ia dalin”.

B. Shmangia e Dhunës: Ambasada u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Shteteve të Bashkuara, përfshirë shqiptarët që banojnë atje, të “qëndrojnë të qetë dhe të mos përfshihen në protesta, akte dhune apo diskutime të zjarrta në Facebook. Keto akte nuk kanë vend në demokraci.

C. Mbrojtja e demokracisë nga ‘Armiqtë e Lirisë’: “Mos harrohet se armiqtë e lirisë nuk duan asgjë tjetër veç të shohin Republikën e fuqishme Amerikane të zhytet në kaos.” Ambasada rendit këta “armiq” të mundshëm duke përfshirë, por jo kufizuar: trollët e huaj, dhe vendet si Rusia, Irani, Kina, etj. Zyrtarët shqiptarë kanë informuar në kohë homologët amerikanë për veprimet e “aktorëve të tretë” që përpiqen të destabilizojnë vendin.

D. Këshilla për Shqiptarët në SHBA: Ambasada ofron udhëzime për shqiptarët që jetojnë në Amerikë: “Është më mirë të qëndroni neutralë dhe të shmangni opinionet publike në televizione apo rrjete sociale. Qëndroni larg vendit të protestave dhe njoftoni ambasadën për çdo problem që hasni.

Deklarata perfundon me një mesazh shprese, por edhe paralajmërim: “Ne besojmë fort se populli amerikan do të ngrihet në nivelin e detyrës dhe do të nderojë frymën e shenjtë të demokracisë. Dhe nëse dikush ka nevojë për këshilla për numërimin apo qetësimin e protestuesveve, Shqipëria do të jetë e gatshme për të ndihmuar.”

Nëse situata del jashtë kontrollit, Shqipëria paralajmëron se ALBAID do të ndërpresë ndihmat për Amerikën. Shqipëria është e gatshme të ndërmjetësoje dialogun politik pa parakushte.

Thirrja për qetësi thekson rolin e Shqipërisë si udhërrëfyese morale në komunitetin ndërkombëtar, një dritë për kombet e mëdha dhe të vogla.

Shqipëria po monitoron nga afër procesin me ekspertët e saj me të mirë. Një delegacion i KQZ është në terren dhe për të dërguar një mesazh të qartë të seriozitetit të situatës në krye të vëzhguesve shqiptare është D. Gjiknuri.

“Udhëtimi i demokracisë është i gjatë. Amerikanët kanë vetëm 200 vjet që ushtrojnë demokracinë. Eshtë detyra jonë si aleatë t’i ndihmojmë jo vetëm me këshilla, por edhe akte konkrete”.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat