Ambasada e Shqipërisë në Francë, nuk funksionon as në kushtet kur bëhet propagandë se Qeveria e ka fokusin tek emigrantët.
Nga njëra anë Qeveria, flet ditë e natë për emigrantët për votën e tyre, për dokumentat biometrike e nga tjetër Ambasada e Shqipërisë në Francë bën të kundërtën.
Kjo ambasadë është thuajse inekzistente. E pamundur siç thonë emigrantët lidhja me telefon për të marrë informacione të ndryshme.
Nuk ka një faqe internetit, ku të jenë publike kontaktet e tyre, stafi i tyre, në mënyrë të tillë që të vënë lidhje me emigrantët që jetojnë e punojnë në Francë.
Emigrantët denoncojnë, se kanë shkuar për të aplikuar për pasaporta e karta identiteti, pas një aplikimi të mëparshëm në E Albania.
Fillimisht qytetarët janë përzënë nga dyert e ambadasës me justifikimin se nuk ka sistem.
“Hajdeni një ditë tjetër”. Ka qenë kjo tallja e punonjësve të ambasadës me emigrantët, duke tentuar kështu ti hedhin edhe në rrugë, t’i lënë pa punë.
Pasi ata lënë punën për të aplikuar në ambasadë dhe nuk e kanë luksin siç e kanë punonjësit e ambasadës të lënë punën se nuk funksionon ambasada.
Shkelja e marrëveshjes për afatin e dokumenteve
Me 14 janar 2025, është nënshkruar marrëveshja që do të reduktojë kohën për pajisjen me dokumente biometrike për emigrantët shqiptarë. Përmes kësaj marrëveshje bëhet e mundur që të përgjysmohet koha e aplikimit dhe marrjes së pasaportës për diasporën.
Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe administratorja e Përgjithshme e kompanisë “IdentiTek”, Freskida Halilaj.
Sipas kësaj marrëveshje, çdo qytetari shqiptar që jeton jashtë kufijve të vendit nuk do t’i duhet më 30 ditë për tu pajisur më pasaportë, por kjo kohë reduktohet me 15 ditë.
Por për Ambasadën shqiptare në Francë, kjo marrëveshje nuk vlen, pasi emigrantëve ju thonë, një afat 5 javor.
Çka do të thotë se drejtuesi i kësaj ambasade dhe vartësit e tij nuk e njohin Ministrin e Jashtëm Igli Hasani, si një nga nënshkruesit e marrëveshjes së 14 janarit 2025.
Gjithashtu duket se po sabotojnë edhe fushatën e kryeministrit Edi Rama, që po kërkon votën e emigrantëve.
Ambasada në Francë, duke tallur dhe zvarritur emigrantët, s’bën gjë tjetër, veçse i kthen ata në vota kundër Qeverisë.