Analisti Andi Bushati ka reaguar ashpër ndaj zgjedhjeve të 11 majit, duke i cilësuar ato si një farsë elektorale ku, sipas tij, shqiptarët nuk patën asnjë mundësi të vërtetë zgjedhjeje. Në një deklaratë të fortë, Bushati tha se vendi ndodhet tashmë në një regjim autokratik, ku demokracia është thjesht një fasadë.
“Shqiptarët u bënë pjesëmarrës në një farsë. Kam marrë pjesë në votime edhe në komunizëm. Sot jemi në një diktaturë moderne”, u shpreh Bushati.
Ai kritikoi rëndë qasjen e opozitës që mbështetet te raportet ndërkombëtare, duke theksuar se regjimet nuk rrëzohen me rezoluta apo raporte të BE-së apo Këshillit të Europës.
“Çfarë vlere ka ky raport? A përballohen regjimet diktatoriale me raporte e rezoluta? Gabimi i opozitës është se mendon se ndryshimi vjen nga këto. Por realiteti është ndryshe – kemi hyrë në një periudhë post-demokratike, me farsa, me SPAK që nuk ka më asnjë besim”, deklaroi ai.
Bushati theksoi se, ndryshe nga liderët e tjerë si Berisha, Meta apo Fatos Nano që lëshuan pushtetin me votë, Edi Rama nuk ka dhënë kurrë dorëheqje përmes një procesi zgjedhor real. Sipas tij, kjo është një dëshmi e qartë se vendi është i kapur nga një njeri i vetëm.
“Diktatura është kur ka vetëm një njeri që nuk lë pushtetin. Rama nuk ka lëshuar pushtetin me votë, ndryshe nga të tjerët. Ne kemi një njeri që sundon, ndërsa raportet ndërkombëtare i përdorin për fasadë.”
Në fund, Bushati ngriti një thirrje për reflektim kombëtar:
“Si shqiptarë, si duhet të përballemi me regjimin që kemi në qafë? Kjo është pyetja që duhet të shtrojë çdo qytetar dhe çdo opozitar. Sepse nuk ka alternativë në diktaturë.”