Dritan Burgija, kreu i grupit të këshilltarëve demokrate në Këshillin Bashkiak të Durrësit, së bashku me anëtarin Arlind Boshku, janë paraqitur në selinë blu për të kërkuar një ballafaqim me kreun e partisë, Sali Berisha.
Dy zyrtarët demokratë kundërshtojnë vendimin për përjashtimin e tyre nga partia, duke e cilësuar atë të padrejtë dhe në kundërshtim me statutin. Në një deklaratë për mediat, Burgija theksoi se kërkon transparencë dhe prova konkrete lidhur me akuzat që, sipas tij, kanë çuar në shkarkimin e tij dhe të kolegut.
“Duam shpjegime për përjashtimin tim dhe të Arlind Boshkut. Nuk është çështje pozicionesh, por dinjiteti. Çdo rresht i vendimit është antistatut. Janë bërë akuza shumë të rënda për ne, por nuk kemi bashkëpunuar me PS – kjo është një gënjeshtër shumë e madhe,” u shpreh ai.
Burgija rikujtoi gjithashtu se edhe në vitin 2021 kishte kërkuar të njëjtin standard, kur sipas tij mbronte dinjitetin e Berishës pas përjashtimit nga lidershipi i asaj kohe. “Sot kërkoj dinjitetin tim,” shtoi ai.
I pyetur nga gazetarët për zhvillimet e fundit në degën e Durrësit, Burgija deklaroi se aktiviteti politik i organizuar nga ish-deputeti Ervin Salianji ka ndikuar në aktivizimin e strukturave të PD-së në qytet.
“PD u vu në lëvizje pas asaj foltoreje. Deputetët dolën në terren dhe i thoshin Berishës se qytetarët nuk po vijnë në takime. U treguam se nuk u vinin atyre, jo neve. Pse nuk vjen Berisha në Sukth?” – përfundoi Burgija.



