Anëtari i Këshillit Bashkiak të Elbasanit, Blendi Himçi, ka kritikuar ashpër qeverinë për menaxhimin e inceneratorit dhe situatën e krijuar pas zjarrit të vazhdueshëm në landfillin e qytetit.
Në një deklaratë për media, Himçi tha se zjarri, i cili ka përfshirë landfillin që prej ditës së djeshme, është dëshmi e vjedhjes dhe korrupsionit në sistem, që po kushton jo vetëm financiarisht, por edhe në shëndetin dhe sigurinë e jetës së qytetarëve.
“Inceneratori i Elbasanit, i ndërtuar me kosto 26 milionë euro, nuk ka djegur asnjë ton plehrash dhe nuk ka prodhuar energji, ndërkohë që po djeg para në mënyrë të pakontrolluar. Zjarri në landfill po helmon familjet e qytetit dhe reflekton një menaxhim katastrofik dhe mungesë përgjegjshmërie,” tha Himçi.
Ai akuzoi qeverinë dhe kompanitë e lidhura me kryeministrin Edi Rama për favorizime dhe keqmenaxhim, duke theksuar se zjarri në landfill është edhe pasojë e nevojës për manipulim të zgjedhjeve në Elbasan.
“Ky zjarr toksik është edhe kujtesa e hidhur se kur zgjedhjet janë farse, askush nuk jep llogari,” përfundoi ai, duke e cilësuar Partinë Demokratike si zërin e vetëm që kërkon përgjegjësi.
Situata mbetet shqetësuese, ndërsa forcat e zjarrfikësve dhe pajisjet e specializuara vijojnë punën për shuarjen e zjarrit në landfill.



