Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht padinë e paraqitur nga “Studio Pustina”, duke konstatuar shkelje të të drejtës për paprekshmërinë e banesës gjatë hetimeve për aferën e njohur si “Partizani”.
Padia kishte si qëllim shfuqizimin e vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Apelit të Posaçëm dhe Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Gjykata Kushtetuese vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën, duke gjetur se gjatë sekuestrimeve të kryera nga SPAK ndaj “Studio Pustina” është cenuar e drejta për paprekshmërinë e pronës.
Në hetimet për dosjen “Partizani”, SPAK ka sekuestruar dokumente dhe kompjutera në “Studio Pustina”. Në këtë çështje, të pandehur janë kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, si dhe Fatmir Bektashi, Andia Pustina dhe Xhimi Begeja. Ata akuzohen për një aferë të dyshuar korruptive lidhur me privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani”.
Çështja është duke u gjykuar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por seanca e parë është shtyrë për shkak të mungesës së njoftimit të palëve.