Prokuroria e Elbasanit ka ekzekutuar vendimin për konfiskimin e një pasurie të paluajtshme në pronësi të shtetasit Arjan Kamani, i dënuar më parë nga drejtësia belge për veprën penale “Ushtrim prostitucioni”.
Me kërkesë të organit të akuzës, Gjykata e Elbasanit ka urdhëruar sekuestrimin e një objekti 2-katësh me funksion bar, restorant dhe hotel, që ndodhet në zonën kadastrale Malasej të qytetit të Cërrikut.
Sipas prokurorisë, hetimet kanë zbuluar se pasuria e Kamanit nuk justifikohet me të ardhurat e ligjshme, dhe ka dyshime të forta se ajo është përfituar në mënyrë të paligjshme, si rezultat i aktivitetit kriminal të ushtruar në Belgjikë.
Arjan Kamani rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit në Bruksel, ku është shpallur fajtor për ushtrim prostitucioni dhe është dënuar me 5 vite burg dhe një gjobë prej 84 mijë euro, së bashku me disa shtetas të tjerë shqiptarë.
Prokuroria bën të ditur se hetimet janë ende në vijim për personat e tjerë të përfshirë në të njëjtën çështje penale në Belgjikë, me qëllim gjurmimin dhe sekuestrimin e çdo pasurie të përfituar nga aktiviteti kriminal.