Një atentat ndodhi mbrëmjen e së enjtes në Tiranë, ku katër persona u qëlluan me armë zjarri, mes tyre edhe dy të mitur, të cilët janë aktualisht në spital.
Shënjestër e atentatorëve ka qenë një automjet G-Class Mercedes Benz, ku po udhëtonin 4 persona, të cilët kanë mbetur të plagosur.
Të plagosur janë A.S, 34 vjeç, K.M, 19 vjeç, dhe dy të mitur, D.D., 11 vjeç dhe M.D., 17 vjeç.
Burimet thonë se 34-vjeçari A.S ka qenë shoferi i mjetit G-Class dhe thuhet se po shoqëronte adoleshentët dhe të miturin.
Policia po verifikon për një automjet të djegur me targën AA 040 YV, sipas burimeve paraprake.
Burimet thonë se atentatorët i kanë ndjekur në Unazën e Madhe dhe i kanë qëlluar, ndërsa shoferi 34-vjeçar ka bërë sa ka pasur mundësi për t’iu larguar atyre, duke mos ndaluar pas të shtënave dhe ka ecur deri në Lundër, ku thuhet se ka humbur ndjenjat nga plagët. Persona të rastësishëm që ishin në zonë kanë ndihmuar të plagosurit dhe kanë lajmëruar policinë, shkruan euronews.
Gjendja shëndetësore e të plagosurve
I mituri 11-vjeçar ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, shoferi 34-vjeçar ndodhet në gjendje stabël, bashkë me 19-vjeçarin ndërsa 17-vjeçari është dërguar për mjekim më të specializuar në një spital privat.
Njoftimi i Policisë
“Më datë 17.04.2025, rreth orës 21:50, në spitalin e Traumës, kanë shkuar të plagosur me armë zjarri nga Lundra, shtetasit A.S., 34 vjeç, K.M., 19 vjeç dhe dy të mitur të moshës rreth 11 dhe 17 vjeç. Është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Për këtë ngjarje do të kemi informacion më të zgjeruar pas sqarimit të plotë të rrethanave të rastit,” njoftoi Policia e Tiranës.
Disa persona janë marrë në pyetje nga grupi hetimor, kryesisht dëshmitarë të vendit të ngjarjes, ndërsa në pyetje pritet të merren edhe familjarët e të plagosurve.