Në seancën gjyqësore ndaj Plaurent Dervishajt dhe Julian Mecajt, të akuzuar për atentatin ndaj ish-deputetit Arjan Ndoj në vitin 2019, ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku, dëshmoi sot bashkëjetuesja e Arben Merkurit i ekzekutuar në maj të vitit 2022.
Znj. Shyti, e cila kishte 15 vite bashkëjetesë me Merkurin dhe dy fëmijë nga kjo lidhje, tha se nuk kishte dijeni për shokët apo aktivitetet e tij dhe mohoi çdo lidhje të tij me botën e krimit.
Dëshmia e Znj. Shyti në gjykatë:
“Unë banoj në Sukth, Durrës. Arben Merkuri ishte bashkëjetuesi im. Kam 15 vite që jetoja me të, kemi dy fëmijë dhe një dyqan në Sukth. Nuk njihja asnjë shok të tij, nuk e di me kë shoqërohej. Ditën kur u vra, dikush e mori në telefon. Sapo zbriti shkallët, dëgjuam zhurmë armësh. Djali më tha: ‘Kanë vrarë babin’. Nuk e di kush e bëri vrasjen. Bisnesin e kemi të rregullt, nuk kishte asnjë problem me drejtësinë.”
Në sallën e gjyqit, i akuzuari Plaurent Dervishaj e pyeti drejtpërdrejt dëshmitaren:
Plaurenti: “A ke dëgjuar çfarë flitet për burrin tënd? Thuhet se ka qenë vrasës me pagesë. Nuk ka grua që i thotë burrit ‘shko vrit’.”
Znj. Shyti: “Nuk është e vërtetë.”
Plaurenti: “Burri yt dhunonte dy gazetarë, e ke parë?”
Znj. Shyti: “Nuk e kam parë.”
Arben Merkuri, i njohur më herët me mbiemrin Ismaili, u vra në maj të vitit 2022, ndërsa emri i tij është lakuar në disa ngjarje kriminale të bujshme.
Procesi gjyqësor ndaj Dervishajt dhe Mecajt pritet të vijojë me dëshmitë e tjera kyçe në ditët në vijim.