Deputeti i Partisë Socialiste, Eduart Shalsi, dhe deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, kanë dhënë sqarime lidhur me debatet e fundit për firmat e dorëzuara dhe më pas tërhequr nga kandidatët për postin e Avokatit të Popullit.
Shalsi deklaroi se disa opozitarë kanë vepruar sipas udhëzimeve të Flamur Nokës, numri dy i PD-së, i cili u ka kërkuar që mes kandidatëve të firmosin edhe për Endri Shabanin. “Kishte kolegë të opozitës që thonin më ka thënë numri 2 i partisë (Flamur Noka) të firmos për Endri Shabanin. Për veprimet që bëjmë, ne paguajmë pasojat. Të mos humbasim kohë, të vijojmë me procedurat,” tha Shalsi.
Nga ana e tij, deputeti i PD-së Saimir Korreshi theksoi se nuk ka pasur një vendimmarrje grupi për kandidatët dhe se firmat janë dhënë në bazë të lidhjeve shoqërore me ta, jo për detyrim politik. “Unë mbaj përgjegjësi për firmat e mia. Sekretarin e Përgjithshëm e kam pyetur a ka vendim grupi, më tha jo. Kështu mund t’i jepeshin firmat kujtdo kandidat që të mos krijoheshin keqkuptime. Firmat i dhamë pa kaluar në Komisionin e Ligjeve për të verifikuar kriteret. Tërhoqëm të gjitha firmat për të arritur konsensusin,” tha Korreshi.
Në mesin e gjashtë kandidatëve për Avokatin e Popullit është edhe Endri Shabani, i cili ka siguruar 35 firma nga PD, por opozita kërkon që ai të përjashtohet nga lista.



