Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami deklaroi se do të jenë prezentë në takimin e nesërm të ftuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, megjithatë, ajo tha se nuk kanë pritje nga ky takim, meqë theksoi se është më shumë për “show mediatik”.
Pas ndërprerjes së seancës, ku paraprakisht u mbajt një takim konsultativ me kryesuesin e seancës konstituive, Avni Deharin, Bajrami tha se do të shkojnë në takimin me Kurtin për të treguar se janë për konstituim të institucioneve.
“Nuk është që kemi shumë pritje duke marrë parasysh komplet të kaluarën historike të LVV-së dhe krejt sjelljet e tyre konferencën për media nuk është që mund të presim diçka nga ky takim. Është më shumë për show mediatik. Megjithatë për të treguar që jemi për konstituim të institucioneve do të jemi prezent”, u shpreh ajo.