back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024
spot_img
KreuAktualitetBalla: Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së janë të forta dhe do të...

Balla: Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së janë të forta dhe do të forcohen edhe më tej

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, replikoi me deputetët e opozitës duke vlerësuar marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara si të jashtëzakonshme dhe historikisht të rëndësishme. Ai shprehu besimin se këto lidhje do të vazhdojnë të thellohen, duke iu referuar një trashëgimie të gjatë bashkëpunimi dhe mbështetjeje reciproke.

“Unë nuk mbaj mend që Kuvendi i Shqipërisë këto 30 vite të ketë bërë një deklaratë për të përshëndetur fitoren e një presidenti apo një kandidati për kancelar apo kryeministër në një vend tjetër. Por është fakt publik që Kryeministri Rama ka qenë një nga udhëheqësit e parë europianë që ka uruar presidentin Trump për fitoren e tij të shquar, duke e quajtur një ‘fitore të jashtëzakonshme’. Di që një pjesë e madhe e kolegëve të mi ministra, unë personalisht e kam bërë një gjë të tillë. Ne e konsiderojmë Shtetet e Bashkuara si një partner të rëndësishëm, i cili ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme Shqipërinë”, u shpreh Balla.

Ministri Balla përmendi rolin e Shteteve të Bashkuara në momente kyçe të historisë shqiptare, duke nënvizuar se “në këto 102 vite marrëdhënie të ngushta, ne nuk harrojmë rolin e tyre të pazëvendësueshëm në krijimin e shtetit shqiptar dhe mbështetjen e presidentit Woodrow Wilson, që për shumë shqiptarë përbën një figurë historike të respektuar.”

“Falenderojmë të gjithë presidentët amerikanë, presidenti Clinton, presidenti George W. Bush, i cili vizitoi Shqipërinë dhe mbështeti fuqimisht anëtarësimin tonë në NATO, pastaj presidentin Obama, presidentin Trump dhe së fundmi presidentin Biden. Të gjithë kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në marrëdhëniet tona strategjike. Në administratën e re të presidentit Trump që po konfigurohet, ka shumë personalitete që e njohin shumë mirë Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, dhe kjo është një mundësi për të forcuar më tej marrëdhëniet tona të forta”, tha Balla..

Balla shprehu bindjen e tij se administrata aktuale do të ndihmojë më tej në forcimin e këtyre lidhjeve dhe se për Shqipërinë është e rëndësishme të ketë njerëz në SHBA që njohin rajonin. Në përfundim, ministri Balla vlerësoi thellësinë e lidhjeve të popullit shqiptar me atë amerikan, duke u shprehur se:

“Populli shqiptar dhe populli amerikan kanë ditur të zhvillojnë një miqësi të fortë, që e tregoi populli ynë kur u derdh në sheshin Skënderbej në vitin 1991 për të pritur sekretarin Baker. Marrëdhëniet mes dy vendeve do të mbeten të qëndrueshme dhe strategjike pavarësisht ndryshimeve politike në të dy anët e Atlantikut.”

Në fjalën e tij, Balla gjithashtu pati replika me deputetët e opozitës, të cilët shprehën kritika ndaj qasjes së qeverisë për marrëdhëniet me SHBA-në. Ai u kundërpërgjigj duke theksuar se marrëdhëniet strategjike me SHBA-në nuk duhen vënë në diskutim për interesa të brendshme politike, por duhen ruajtur dhe forcuar për të mirën e kombit dhe të sigurisë rajonale.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat