Përfaqësuesja e Kryeministrisë ka paraqitur këtë të martë në Gjykatën Kushtetuese argumentet e ankimimit kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme (GJKKO) për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar masën e arrestit.
Sipas përfaqësueses së Kryeministrisë, vendimi i GJKKO-së për pezullimin nga detyra të Ballukut ka cenuar parimin e ndarjes së pushteteve, duke ndërhyrë në funksionimin e pushtetit ekzekutiv.
“GJKKO pretendon se kjo kërkesë nuk mund të ngrihet, duke argumentuar se nuk ekziston një marrëdhënie juridike kushtetuese. Ne sqarojmë se nuk kemi të bëjmë me një ankimim kushtetues individual dhe as me nevojën për mbrojtjen e një të pandehuri. Kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me marrëdhënien mes tre pushteteve. Pyetja thelbësore është: a ka të drejtë një gjykatë penale të pezullojë nga detyra një ministër? Ne vlerësojmë se jo”, u shpreh ajo para trupës gjykuese.
Në lidhje me legjitimimin e Këshillit të Ministrave për të paraqitur ankimimin, përfaqësuesja theksoi se qeveria paraqitet në këtë proces si një organ i prekur drejtpërdrejt nga vendimi i gjykatës. Sipas saj, pezullimi i një ministri pengon funksionimin normal të strukturave të ekzekutivit dhe zbatimin e projekteve qeveritare.
“Një ministër i pezulluar nuk mund të propozojë më asnjë akt pranë Këshillit të Ministrave, ndërsa kryeministri mund të propozojë vetëm për fusha që nuk mbulohen nga asnjë ministër. Në këtë mënyrë, kryeministri vendoset në pozicionin e zëvendësimit të një ministri, çka praktikisht e shtyn Këshillin e Ministrave drejt kërkesës për shkarkimin e tij”, argumentoi ajo.
Sipas Kryeministrisë, thelbi i çështjes që duhet të shqyrtojë Gjykata Kushtetuese është nëse pasojat e këtij vendimi janë apo jo të lejueshme nga Kushtetuta. Përfaqësuesja kundërshtoi gjithashtu pretendimin se duhet të shterohen të gjitha shkallët e gjyqësorit përpara se çështja të shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese.
“Detyrimi për të kaluar të gjitha shkallët e gjyqësorit vlen vetëm për ankimimet e paraqitura nga individë. Ky standard nuk aplikohet për Këshillin e Ministrave, i cili në këtë rast vepron si organ kushtetues i prekur”, përfundoi ajo.
Gjykata Kushtetuese pritet të marrë një vendim në vijim, i cili do të përcaktojë kufijtë e ndërhyrjes së gjyqësorit në raport me pushtetin ekzekutiv dhe do të ketë ndikim të rëndësishëm institucional.



