Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka njoftuar se përfaqësuesit e lartë të BE-së dhe të shteteve anëtare do të përmbahen përkohësisht nga mbajtja e takimeve me kryeministrin në detyrë dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, deri në formimin e një qeverie me mandat të plotë.
Ky vendim pason aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, i cili shpalli të pavlefshëm Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Financave mbi përdorimin e pajisjeve elektronike fiskale.
Në letrën e dërguar institucioneve kosovare, BE-ja thekson se ky hap është në pajtim me vendimin e Gjykatës Supreme dhe synon të sigurojë qëndrueshmëri institucionale dhe respektim të sundimit të ligjit.
“Ky vendim riafirmon angazhimin tonë parimor ndaj sundimit të ligjit, llogaridhënies demokratike dhe integritetit institucional,” thuhet në letër.
Bashkimi Evropian thekson gjithashtu se vendimi synon të shmangë pasiguri dhe keqinterpretime, siç ndodhi gjatë vizitës së fundit të Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen. Në të njëjtën kohë, BE-ja konfirmon gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me autoritetet kosovare në fushat kyçe, duke theksuar se kontakti institucional nuk do të ndërpritet.
“Ne shpresojmë që një qeveri me mandat të plotë të formohet pa vonesa, në mënyrë që të mund të rifillojmë bashkëpunimin e plotë dhe të thellojmë marrëdhëniet politike e ekonomike me Kosovën,” thuhet në fund të letrës.