back to top
8.5 C
Tirana
E martë, 3 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetKosovaBE paralajmëron për ngërç politik në Kosovë, që pengon implementimin e reformave

BE paralajmëron për ngërç politik në Kosovë, që pengon implementimin e reformave

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka bërë të ditur se dy nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ende nuk kanë nisur të zbatojnë reformat e kërkuara në kuadër të Planit të Rritjes. Sipas raportimeve, këto vende janë Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, për shkak të mungesës së institucioneve efektive.

“Jemi mbledhur sot për të vlerësuar progresin, për të parë çfarë ka shkuar mirë me Planin e Rritjes dhe në cilat fusha duhet të bëjmë më shumë. Janë kaluar dy vjet nga katër që zgjat implementimi i planit, dhe është momenti i duhur për të diskutuar së bashku,” tha Kos gjatë samitit në Tiranë, duke iu drejtuar kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

Ajo shtoi se dy vendet më të avancuara në këtë proces janë Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilat kanë përmbushur rreth 50% të reformave të dakorduara me Bashkimin Evropian.

Raporti i BE-së për progresin vëren se Kosova nuk ka ratifikuar marrëveshjet që do t’i mundësonin përfitimin nga Plani i Rritjes për shkak të “ngërçit politik”. Që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, vendi nuk ka formuar ende ekzekutivin e ri, gjë që ka bllokuar miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend.

Plani i Rritjes, një paketë investimesh prej 6 miliardë eurosh, synon të përshpejtojë rrugën e vendeve të rajonit drejt Bashkimit Evropian. Kosovës i janë ndarë rreth 900 milionë euro, duke e bërë atë përfituesen më të madhe për kokë banori nga këto mjete.

Samiti i Tiranës vijon punimet me pjesëmarrjen e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, me fokus mbi përparimin e reformave dhe implementimin e Planit të Rritjes.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat