Pas reagimit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, edhe Bashkimi Europian shpreh shqetësimin e tij për projektligjin “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale”, i futur sot në rendin e ditës në Parlamentin e Shqipërisë.
Delegacioni i BE-së në Tiranë nënvizon rrezikun që ligji të dekurajojë respektimin e detyrimeve tatimore dhe thekson nevojën për masa të forta kundër pastrimit të parave.
“Komisioni Evropian ka diskutuar propozimin për ‘Paqen Fiskale’ me autoritetet shqiptare, përfshirë takimin e Nënkomisionit për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet më 25–26 nëntor. Komisioni theksoi shqetësime serioze që lidhen me dekurajimin e respektimit të detyrimeve tatimore dhe përsëriti nevojën për masa të forta kundër pastrimit të parave në propozim, ndërsa vijon angazhimi për uljen e numrit të madh të përjashtimeve tatimore,” thuhet në deklaratën e BE-së.
Delegacioni i BE-së rikujton gjithashtu se çdo amnisti apo program pajtueshmërie tatimore duhet të jetë në përputhje me planet e vendit dhe të përforcojë luftën kundër krimit të organizuar, duke respektuar standardet ndërkombëtare si ato të Moneyval dhe FATF, si dhe acquis-n e Bashkimit Europian.
BE-ja pret që shqetësimet e saj të adresohen nga autoritetet shqiptare përpara miratimit të projektligjit.



