Bashkimi Evropian ka shpallur zyrtarisht Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit si organizatë terroriste, pas arritjes së unanimitetit mes 27 vendeve anëtare gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm në Bruksel.
Vendimi politik vjen si një reagim i fortë i BE-së ndaj shtypjes së dhunshme të protestave nga regjimi iranian, si dhe rolit të IRGC-së në destabilizimin e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare. Përcaktimi i IRGC-së si organizatë terroriste përbën një hap simbolik dhe praktik njëkohësisht, duke shënuar përshkallëzimin më serioz të qëndrimit të BE-së ndaj Teheranit.
Me këtë vendim, të gjithë anëtarët e përhershëm të IRGC-së do t’i nënshtrohen ngrirjes së aseteve, ndalimit të financimeve dhe kufizimeve të udhëtimit në territorin e Bashkimit Evropian. Shumë prej tyre ishin tashmë nën sanksione, por ky përcaktim i bashkon masat nën një regjim të vetëm antiterrorist.
“Represioni nuk mund të mbetet pa përgjigje. Çdo regjim që vret mijëra qytetarë të vet po punon drejt shkatërrimit të vet”, deklaroi Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, duke justifikuar vendimin.
Vendimi u bë i mundur pasi Franca dhe Spanja ndryshuan qëndrim, duke hequr rezervat që kishin ngritur më herët për pasojat ligjore dhe diplomatike të këtij hapi. Edhe Belgjika, që deri vonë mbante një pozicion të paqartë, iu bashkua konsensusit.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, deklaroi se BE nuk mund të tolerojë pandëshkueshmërinë për krimet e kryera nga autoritetet iraniane, duke i kërkuar Teheranit lirimin e të burgosurve politikë, ndalimin e ekzekutimeve dhe rivendosjen e aksesit të lirë në internet.
Barrot kërkoi gjithashtu që Irani të lejojë largimin nga vendi të dy shtetasve francezë, Cécile Kohler dhe Jacques Paris, të cilët pas më shumë se tre vitesh burgim ndodhen aktualisht në liri me kusht në ambasadën franceze në Teheran.
IRGC akuzohet nga Perëndimi për orkestrimin e shtypjes së përgjakshme të protestave në Iran, furnizimin e Rusisë me armë për luftën në Ukrainë, lëshimin e raketave balistike drejt Izraelit, si dhe për lidhje të drejtpërdrejta me grupe të armatosura si Hezbollahu, Hamasi dhe Huthitët në Jemen.
Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Australia e kanë shpallur prej vitesh IRGC-në organizatë terroriste, ndërsa Gjermania dhe Holanda kanë ushtruar vazhdimisht presion që BE të ndjekë të njëjtën linjë.
Aktualisht, lista terroriste e Bashkimit Evropian përfshin 22 organizata, mes tyre Hamasi, krahu ushtarak i Hezbollahut dhe Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), ku tashmë i shtohet edhe Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.



