Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar publikisht qeverinë dhe Institutin e Statistikave (INSTAT), duke i akuzuar për manipulim të të dhënave mbi eksportet e Shqipërisë. Sipas Berishës, raportimet e institucionit janë të falsifikuara dhe nuk pasqyrojnë realitetin e vërtetë ekonomik.
Berisha thekson se qeveria po përllogarit si eksporte mallrat që kalojnë vetëm transit për në Kosovë, duke i regjistruar si pjesë të ekonomisë shqiptare. Ai e quan këtë praktikë “akt monstruoz” dhe një mashtrim publik të qëllimshëm që fsheh krizën e rëndë në sektorin e eksportit.
“Eksportet, për shkak të fluksit të miliarda eurove me kontejnerë, autobusa dhe mjete të tjera që hyjnë në Shqipëri nga trafiku i drogës, çka unë e quaj ‘narkoeuro’ janë goditur në mënyrë fatale. Shumë ndërmarrje eksporti janë duke u përballur me humbje të mëdha, dhe kjo ka sjellë falimentimin e qindra bizneseve dhe humbjen e dhjetëra mijëra vendeve të punës”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, çdo përpjekje e qeverisë për të prezantuar rritje të eksporteve është e pabazuar. “Ata quajnë eksporte mallrat transit që nga Durrësi kalojnë për në Kosovë, kryesisht naftë dhe produkte të tjera dhe i regjistrojnë si eksporte shqiptare. Kjo nuk ka precedent në botë,” shtoi Berisha.
Denoncimi i ish-kryeministrit vjen në një kohë kur Shqipëria përballet me rënie të vazhdueshme të eksporteve reale dhe me tensione në sektorin ekonomik, ndërsa institucionet shtetërore duket se nuk japin informacion të besueshëm mbi situatën financiare dhe tregtare të vendit.