Ish-kryeministri Sali Berisha ka lëshuar akuza të rënda në drejtim të ish ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, gjatë një deklarate në Kuvend, duke e cilësuar si përfaqësues të krimit në parlament dhe duke pretenduar se emri i tij është përmendur në dokumente zyrtare gjyqësore lidhur me porositje vrasjesh dhe lidhje me grupe kriminale.
“Ky është një person i akuzuar për trafiqe të të gjitha llojeve, nga prostitucioni te droga. Është një njeri që në sallë gjyqi është përmendur me dokumente zyrtare si porositës vrasjesh,” – deklaroi Berisha.
Sipas tij, Balla është i lidhur me bandën e Elbasanit, për të cilën Berisha pretendon se ka qenë në shërbim të interesave kriminale, përfshirë burgosjen e një familjeje kundërshtare.
“Është faktuar, sipas dosjeve, se ka rënë dakord që të mos i kërkohej asnjë tender apo favor publik përtej atyre që ishin rënë dakord. Ky mesazh, nga dosja e SPAK, iu përcoll këtij krimineli që është këtu,” – shtoi Berisha, duke iu referuar bisedave të përgjuara të përfshira në hetimet e grupeve kriminale.
Berisha po ashtu akuzoi drejtësinë se ka “djegur regjistrime” që e implikonin Ballën, duke aluduar për ndërhyrje të segmenteve të politizuara në sistemin gjyqësor.
Deklaratat e Berishës vijnë në një klimë të tensionuar politike dhe nuk shoqërohen me vendime përfundimtare gjyqësore ndaj ministrit Balla. Taulant Balla nuk është dënuar apo hetuar penalisht për asnjë nga akuzat që përmend Berisha, ndaj këto mbeten pretendime politike dhe publike, që nuk kanë status ligjor të provuar.