Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka premtuar revolucion fiskal, një sistem i ri që sipas tij, rrogat do të rriten vetvetiu me 13%, duke mundësuar edhe uljen e çmimit të banesave. Duke folur në konferencën e përjavshme me gazetarët, Berisha tha se tatimet mbi të ardhurat jo nga pagat, nga 15 përqind që është në sistemin e plaçkitjes dhe kufizimit të lirisë ekonomike, do të zbresë në 10 përqind. Qëllimi i këtij revolucioni fiskal ndër të tjera, theksoi lideri demokrat, është një krijimi I një klime më miqësore për biznesin, mundësi kursimesh dhe investimesh, si dhe mundësi për rritje rrogash dhe nxitje të prodhimit.
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, kryedemokrati Sali Berisha ka ngritur sot akuza ndaj strukturave që sipas tij, janë të përfshira në krime zgjedhore. Në konferencën me gazetarët, Berisha deklaroi se do të ndërmerren hapa të fortë për t’i shpallur ato organizata terroriste, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në nivel ndërkombëtar. Berisha theksoi se vëmendja ndërkombëtare ndaj procesit zgjedhor në Shqipëri është e pashembullt, me dy seanca të veçanta të mbajtura në Këshillin e Europës dhe Parlamentin Europian për këtë çështje. Ai përmendi gjithashtu praninë e delegacioneve të OSBE-së në vend, duke shtuar se Europa dhe miqtë ndërkombëtarë ‘i kanë sytë hapur katërcipërisht’.
I pyetur nga gazetarët, lideri i demokratëve, Sali Berisha është shprehur optimist për fitoren e demokratëve në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Berisha tha se sondazhet e PD tregojnë se në zgjedhjet e lira, fitimtarë absolut janë demokratët.
Kreu i PD-së Sali Berisha ka deklaruar se qeverisja e tij ka qenë një ndër më efikaset në historinë ekonomike të vendit, duke theksuar se gjatë dy mandateve të tij të ardhurat u dyfishuan, pavarësisht uljes së ndjeshme të taksave. Në konferencën me gazetarët, Berisha kritikoi qeverisjen aktuale për dështimin në menaxhimin ekonomik dhe theksoi se Shqipëria ka nevojë për një kthesë rrënjësore, duke filluar me uljen e barrës fiskale dhe kthimin e fondeve te qytetarët.
‘Në vitin 2005 vendosëm taksën e sheshtë dhe në vetëm 6 muaj kishim 300 milionë euro më shumë në buxhet. Ndërsa sot, me trefishin e taksave, të ardhurat nuk janë dyfishuar ende’, tha Berisha. Ai shtoi se plani i opozitës për rimëkëmbje ekonomike përfshin rritjen e pagave e pensioneve, frymëmarrje për biznesin dhe një politikë të fortë demografike për të ndalur zbrazjen e vendit.
Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar se po qeveris me kodin e mafias dhe ka vendosur një ‘omerta’ totale ndaj çdo forme ballafaqimi publik apo transparence.
‘Edi Rama është i vetmi kryeministër në botë, përveç Kim Jong Un, që nuk pranon pyetje nga gazetarët dhe nuk ballafaqohet në debat televiziv’, u shpreh Berisha, duke e cilësuar sjelljen e tij si shkelje të rregullave demokratike dhe një akt frike nga përballja me qytetarët. Sipas tij, ndalimi i debateve televizive mes kandidatëve dhe shmangia nga çdo kontakt me median përfaqëson një regres të rëndë demokratik, duke krahasuar situatën me vitet e komunizmit, kur edhe Partia e Punës pranonte përballje publike.
FJALA E PLOTE:
Dy filozofi përballen në këtë fushatë.
Filozofia e lirisë ekonomike me filozofinë e kufizimit të kësaj lirie.
Më shumë se në çdo fushë tjetër, kjo shprehet në qëndrimin e barrës fiskale që rëndon mbi qytetarët,
Filozofia e lirisë ekonomike është e taksës së sheshtë mbi tatim fitimin 10 përqind,
Filozofia e zhvatjes së bizneseve dhe qytetarëve, dhe kufizimit të kësaj lirie, tatim fitimin e ka 15 përqind.
Tatimi mbi pagat për ne do jetë 10 përqind. Aktualisht është 23 përqind.
Të dashur qytetarë, tre muajt e parë të qeverisjes së PD, pagat e të gjithë rrogëtarëve shqiptarë, të cilat tatohen me fitimin mbi pagën, do rriten 13 përqind.
Pra, rrogëtarët do kenë një rrogë reale 13 përqind më shumë se sot.
Dhe kjo është një rritje e paparë në 12 vite.
Tatimet mbi të ardhurat jo nga pagat, nga 15 përqind që është në sistemin e plaçkitjes dhe kufizimit të lirisë ekonomike, zbret në 10 përqind.
Biznesi i vogël pa TVSH, do të jetë gjer në 180 mijë euro xhiro vjetore. Pra, sot mbi 100 mijë euro xhiro vjetore, aplikohet TVSH-ja. Ky tavan rritet në 180 mijë euro.
Biznesi i vogël pa tatim fitim, do të jetë biznesi me xhiro vjetore gjer në 180 mijë euro, nga 140 mijë euro që është sot.
Taksa e transferimit të pronës nga 15 përqind në sistemin e plaçkitjes, do të zbresë në 2 përqind në sistemin e lirisë ekonomike.
Taksa e ndikimit të infrastrukturës nga 8 përqind do të zbresë në 2 përqind.
Në qoftë se e para është 8 përqind të çmimit të referencës, taksa jonë do të jetë 2 përqind të preventivit, pra i bie një ulje shumë, shumë e madhe. Një ulje mbi 10-15 herë, çka do ketë ndikim direkt në çmimin e apartamenteve dhe sipërfaqen e ndërtimit.
Taksa e strehimit social është 3 përqind, shfuqizohet tërësisht.
Taksat lokale do të jenë maksimumi 1 përqind e xhiros. Sot janë pa tavan, arrijnë në 8 dhe 10 përqind të xhiros.
Dhe së fundmi, taksa tabu që e paguan çdo shqiptar në çdo kafshatë që merr, në çdo gjë blen, për gjithçka, nga 20 përqind, zbret në 15 përqind dhe ky është një rekord. Bëhet taksa më e ulët në Europë dhe ndër më të ulëtat në botë.
Me këtë revolucion fiskal ne synojmë të krijojmë klimën më miqësore për biznesin.
Të krijojmë mundësi kursimesh dhe investimesh për bizneset.
Të krijojmë mundësi për rritje rrogash dhe nxitje të prodhimit.
Por vetvetiu ky sistem fiskal rrit 13 përqind të rrogave të shqiptarëve, pavarësisht nga premtimi ynë për rrogën mesatare 1200 euro që kemi bërë.
Mendoj se dallimi është si nata me ditën, ndaj ftoj shqiptarët të bëjnë zgjedhjen e tyre.
Është në interesin më të mirë që ata kanë, të rrogave dhe pensioneve të tyre.