back to top
8.5 C
Tirana
E martë, 3 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetBerisha godet qeverinë/ "Nuk shpallin fatkeqësinë natyrore për të shmangur kompensimin e...

Berisha godet qeverinë/ “Nuk shpallin fatkeqësinë natyrore për të shmangur kompensimin e qytetarëve”

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, akuzoi qeverinë për indiferencë të plotë përballë situatës së rëndë të përmbytjeve në disa zona të vendit, duke deklaruar se mijëra banesa dhe biznese janë të rrezikuara, ndërsa autoritetet nuk kanë shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore.

Gjatë konferencës për media ditën e sotme, Berisha u shpreh se përmbytjet në Durrës janë favorizuar nga gjendja katastrofale e kanalizimeve dhe mosfunksionimi i hidrovorëve në Porto Romano dhe Hamallaj, ndërsa situata në Novoselë, për shkak të rrezikut nga lumi Vjosa, është tepër alarmante. Ai u bëri thirrje banorëve të zonës të evakuohen sa më parë.

Lideri demokrat, Sali Berisha e cilësoi mosshpalljen e gjendjes së fatkeqësisë si një akt të qëllimshëm, duke akuzuar qeverinë se synon të shmangë kompensimin e qytetarëve për dëmet e shkaktuara. Ai gjithashtu akuzoi kryeministrin Rama për përfshirje direkte në afera korruptive dhe për presion ndaj sistemit të drejtësisë, duke përmendur çështje si aeroporti i Vlorës, tuneli i Llogarasë dhe skandali i AKSHI-t.

Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, Berisha deklaroi se Rama është i frikësuar nga hetimet dhe se po përpiqet të mbrojë bashkëpunëtorët e tij për të shpëtuar veten. Kryedemokrati theksoi se ndryshimi politik në vend do të vijë nga qytetarët dhe jo nga faktorë të tjerë.

Sa i përket tryezës së thirrur nga opozita me temë “Zgjidhja për Shqipërinë”, Berisha tha se dera mbetet e hapur për të gjitha forcat opozitare, pavarësisht refuzimeve apo rezervave të shprehura nga disa subjekte të reja politike, me qëllim krijimin e një fronti sa më të gjerë kundër qeverisë.

FJALA E PLOTË

Përmbytjet nga shirat kanë marrë dimensione të reja dramatike, proporcione të reja dramatike në mbarë vendin.

Narko-qeveria është në narkozë të plotë, është jashtë çdo lloj imagjinate, jashtë çdo lloj standardi, që në kushte kur mijëra e mijëra banesa, dhjetëra mijëra qytetarë kanë shtëpitë e tyre të përmbytura, kanë bizneset e tyre të përmbytura, kanë jetën e tyre të kërcënuar, qeveria, narko-qeveria jo vetëm që nuk vendos gjendjen e fatkeqësisë natyrore, e cila detyron të ashtuquajturim shtet të mobilizojë të gjitha burimet për të ndihmuar, për të shpëtuar, për të nxjerrë nga rreziku banorët e zonave të kërcënuara, të përmbytura, por lëshon dje një tallje cinike, në të cilën pretendon se opozita po e akuzon për përmbytjet në Greqi dhe Itali, një fantazi e sëmurë e një fantazisti të sfazuar, njeriu i cili tani po përjeton net tmerri çdo natë për shkak të krimeve të tij të bëra evidente.

Por unë prapë do ndalem edhe njëherë tek zonat e përmbytura.

Durrësi është përmbytur, pa diskutim që reshjet e mëdha janë shkaku themelor, por ajo që e favorizoi në mënyrë të paprecedent është gjendja katastrofale e kanalizimeve dhe hidrovorëve, atij të Porto Romanos dhe atij të zonës sipër Bishtit të Pallës, e cila mbron të gjithë atë ultësirë.

Pra, këto dy hidrovorë, i pari ka disa porta që nuk i funksionojnë, kurse hidrovori i Hamallajt i ka pompat e djegura.

Përveç kësaj kanalizimet janë bllokuar me ndërtime të tjera ose nuk janë pastruar.

Pra, në këtë situatë gjithçka favorizon ujin për të përmbytur qytetarët, shtëpitë, bizneset e tyre.

Situatë dramatike, tepër kërcënuese është në zonën e Novoselës ndaj dhe Bashkia e Vlorës ka kërkuar evakuimin.

U bëj thirrje banorëve të evakuohen sa më parë sepse lumi Vjosa është një lumë me rrezikshmëri të pakrahasueshme me asnjë nga lumenjtë e tjerë të vendit në befasinë e prurjeve të tij.

Lumenj të tjerë kanë dalë dhe përmbytur zona siç është lumi i Drojës, që në fakt është një përrua në realitet, por gjatë shtrëngatave të mëdha bëhet lumë i rrëmbyer dhe ka çarë argjinaturat dhe ka përmbytur zonat e tjera.

Në asnjë vend nuk gjenden qeveria dhe përfaqësuesit e narko-qeverisë, përveçse ministri i Drejtësisë që kishte shkuar në burg dhe kishte veshur kominoshet e burgut për të dëshmuar se qeveria e tij është një qeveri e mbytur komplet.

Ndaj dhe para kësaj situate, dënoj me forcën më të madhe këtë indiferencë çnjerëzore, moshpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, gjendje e cila ka tejkaluar, plotëson në këto rrethe të gjitha kriteret për t’u shpallur.

Por kjo mosshpallje vjen për shkak se nuk duan t’i kompensojnë qytetarët për humbjet e tyre.

Sepse shpallja e gjendjes së fatkeqësisë detyron qeverinë të kompensojë të gjitha dëmtimet e krijuara nga fatkeqësia.

Këtu qëndron fakti që narko-qeveria dhe Edi Rama sodisin.

E vërteta është që Edi Rama është i tmerruar nga dosja e tij.

Në çdo rresht të dosjes Balluku, Edi Rama lexon emrin e tij.

Në çdo rresht të aeroportit të Vlorës, tunelit të Llogarasë, unazës së Madhe dhe tenderave të tjera, de facto prapa Lubisë është Edi Rama.

Ndaj dhe ai po bën gjithçka që të bllokojë drejtësinë dhe kërkesën e saj.

Ai përdori Gjykatën Kushtetuese në funksion të narko-shtetit, interesave të tij mafioze.

Në një akt të pashembullt, kjo gjykatë mori pushtetet e gjykatave të tjera për masat e sigurisë dhe i hoqi Lubi Ballukut masën e sigurisë duke i krijuar asaj të gjitha mundësitë për falsifikimin, shkatërrimin e dokumenteve që e inkriminojnë atë në çdo orë të aktivitetit të saj.

Po kështu Edi Rama po bën presionin më të madh ndaj prokurorisë për AKSHI-n, për Lindën e AKSHI-t, pas të cilës dihet se qëndron Linda e Surrelit.

Po bën çdo lloj presioni në mënyrë që baxhanaku i tij, Armando Frangu, kunati i floririt i Lindës së Surrelit, të mos shpallet në kërkim si person i akuzuar për krime të rënda.

Të gjitha ndodhitë e AKSHI-t, për të cilin ky tha se kishte respektin maksimal për Lindën e AKSHI-t, Linda e AKSHit ishte për të njeriu i respektit maksimal, pacaka se para syve të saj janë marrë pengje, janë zhdukur qindra e qindra milionë euro të taksapaguesve shqiptare, që të gjitha në funksion të familjes Rama të Surrelit, që të gjitha pa përjashtim në funksion të Armando Frangut.

Pra, Rama tani nuk ka asnjë interes për asnjë qytetar tjetër në Shqipëri përveç Lindës së tij, Armando Frangut dhe familjes së tij.

Dënoj këto qëndrime me forcën më të madhe u bëj thirrje qytetarëve të angazhohemi për të nxjerrë sa më shpejt Shqipërinë nga kthetrat e këtij klani mafioz të rrezikshëm, aktualisht më i rrezikshmi në Europë dhe ndër më të rrezikshmit në botë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat