Ish-deputeti Myslim Murrizi ka komentuar protestën e zhvilluar nga Partia Demokratike tek Kryeministria, të cilën ish-kryetari Sali Berisha e ka quajtur “Foltorja 2”. Ai tha në emisionin “Frontline Interview” në Report TV se nuk i besojnë më demokratët Berishës dhe nuk iu bashkua protestës.
Murrizi kritikoi lidershipin e Berishës, duke ironizuar mbi premtimet e mëparshme të tij:
“Në foltoren e parë kush i qëndroi besnik u flak në rrugë. Berisha iu tha demokratëve që do ta bëjnë partinë konservatore dhe u bënë parti konvervash. Thanë do të bëhemi foltore dhe e bënë faltore, thanë do ta bëjmë parti të djathtë dhe e bënë parti djathi. Çfarë përfaqësojnë këta dhe pse duhet që të shkojë unë në një foltore që bënë Berisha?”
Ai shtoi se Këshilli Kombëtar i PD nuk është mbledhur që nga 12 marsi, dhe se nuk sheh arsye për të marrë pjesë në protesta që organizohen nga të njëjtët individë brenda partisë:
“Unë shkoj në çdo protestë, jo në çdo tellaltore ku flasin të njëjtit njerëz.”
Murrizi theksoi se qytetarët duhet të dalin në protesta për problemet e tyre konkrete, jo vetëm kur thirren nga partitë politike:
“Qytetarët duhet të dalin në shesh për vetën e tyre. Për fat të keq janë të politizuar, nuk dalin në protestë nëse nuk i thërret partia. Nëse opozita i fton në bulevard sot, të mos ulet ditën tjetër me Ramën në tryezë. Thotë që do bëjë betejë për oligarkët dhe i seleksionon. Ngrenë komision për check up dhe nuk flet asnjë fjalë për dializën. Nuk flet për Bankers, që është vjedhja më e madhe e viteve të fundit.”
Myslim Murrizi shprehu kritikë të fortë ndaj lidershipit të PD, duke theksuar se ndryshimi i vërtetë duhet të vijë nga qytetarët dhe angazhimi i tyre ndaj problemeve reale.



