Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas lajmit se autoritetet amerikane kanë rihapur hetimet për ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal, duke deklaruar se i gjithë aktiviteti i tij në Shqipëri është i lidhur me kryeministrin Edi Rama dhe interesat ruse të oligarkut Oleg Deripaska.
“Dosja McGonigal është një akuzë e rëndë për Edi Ramën dhe Altin Troplinin,” tha Berisha, duke nënvizuar se rihapja e çështjes nga drejtësia amerikane po shqyrton mundësinë që McGonigal të ketë qenë i infiltruar nga një shtet tjetër.
Sipas Berishës, McGonigal ka marrë nga zyra e Edi Ramës dokumente konfidenciale për të ndihmuar goditjen e opozitës dhe për këtë është shpërblyer me 225 mijë euro.
“Kjo është vetëm shuma në para, por shpërblimet in kind janë shumë më të mëdha,” tha ai, duke përmendur transferimin e një licence nafte nga një kompani amerikane tek një kompani e lidhur me Deripaskën.
Në një tjetër akuzë të drejtpërdrejtë, Berisha tha se McGonigal ka ndikuar edhe në hetime të fabrikuara, përfshirë edhe rastin e njohur “Durim Bami – Tom Doshi”.
“Ai arriti deri aty sa të emëronte një prokuror amerikan për të hetuar një trillim të Edi Ramës dhe Tom Doshit, për një tentativë të supozuar atentati që nuk ekzistonte,” u shpreh ai, duke përmendur dokumente që sipas tij vërtetojnë udhëtimin me avion të posaçëm në Vjenë të paguar nga Duçka.
Berisha akuzoi gjithashtu Altin Troplinin, ish-drejtor i SHISH, se “ka heshtur në krim” dhe se dosja e plotë që ndodhet në duart e tij, nuk është marrë parasysh nga SPAK, megjithëse sipas tij, ekziston një padi për këtë çështje.
Ai e quajti “turp kombëtar” shpalljen e McGonigalit si qytetar nderi në Tropojë, një nder që iu dha me firmat e Damian Gjiknurit, Edi Ramës dhe Rexh Byberit.
Në fund të deklaratës, Berisha e mbylli me një paralajmërim të drejtpërdrejtë për Edi Ramën:
“Dy gjëra nuk do t’i ndahen Ramës deri në fund të jetës: djegësi i Tiranës dhe dosja McGonigal. Pastaj është një listë e tërë mbrapa.”