Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar se pas foltores së zhvilluar para Kryeministrisë, të njëjtat takime do të vijojnë në të gjitha qytetet e vendit, në kuadër të analizës që PD ka nisur pas zgjedhjeve të 11 majit.
“PD ka filluar analizën e saj. Këtë javë fillojmë foltoret jashtë Tiranës, dhe ato do të vazhdojnë në të gjithë vendin,” deklaroi Berisha.
I pyetur për dorëheqjen e tij pas rezultatit zgjedhor, Berisha përsëriti se drejtuesit e PD-së vendosen vetëm me votë, ndërsa theksoi se akti i dorëheqjes ka kuptim vetëm në kushte zgjedhjesh normale, jo në atë që ai e quajti “farsë elektorale”.
“Humbja e zgjedhjeve është kriteri më i shëndoshë i dorëheqjes, por kur zgjedhjet janë farsë, një dorëheqje e tillë do t’i shërbente diktatorit dhe atyre që shpikin pluralizmin,” u shpreh Berisha. Ai shtoi se, në rrethana të rregullta zgjedhore, do të largohej nga detyra menjëherë pas zgjedhjeve.
“Po të ishin zgjedhje normale, javën e tretë ose të katërt pas tyre, Sali Berisha nuk do të ishte më në këtë zyrë. Por sot ka një mision: të bindë shqiptarët të ngrihen, të largojnë Edi Ramën dhe të votojnë si qytetarë,” theksoi ai.
Sipas Berishës, turit i ri i foltoreve synon të dëgjojë demokratët në bazë dhe të ndikojë në ringritjen e PD-së si alternativë qeverisëse.



