Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj Paketës së Maleve të propozuar nga qeveria Rama, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të nxitur gjakderdhje, armiqësi, urrejtje dhe përçarje në veri të vendit. Sipas tij, kjo paketë është e bazuar mbi një paligjshmëri absolute, ku kryeministri Edi Rama i jep vetes të drejtën për të marrë dhe shpërndarë tokat private në mënyrë të padrejtë.
“Veriu ka ndarë tokën sipas trashëgimisë dhe askush nuk ka marrë asnjë pëllëmbë tokë nga tjetri. Çdo përpjekje për të rrëmbyer pronën private në veri është një përpjekje për të nxitur gjakderdhje, armiqësi, urrejtje dhe përçarje,” theksoi Berisha në një deklaratë të fortë për mediat.
Ai kritikoi ashpër qeverinë duke thënë se në Paketën e Maleve, Edi Rama sillet si pronari i maleve, alpeve dhe zonave të tjera, duke marrë kompetenca të jashtëligjshme për të vendosur mbi pronat private.
“Unë ftoj çdo qytetar që të respektojë me rigorozitet të madh të drejtën e pronësisë në çdo zonë dhe kudo. Jam i sigurt se Rama do të ndërsejë skuadrat e tij të trafikantëve për të marrë kontrollin e zonave malore,” paralajmëroi Berisha.
Ai bëri thirrje të fortë për qytetarët që të mos shesin asnjë metër katror tokë ndaj njerëzve me origjinë të dyshimtë, apo me para të pista, duke theksuar se kjo është mënyra e vetme për të mbrojtur pronën dhe komunitetet malore nga presionet e qeverisë dhe të grupeve të lidhura me të.