Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, njoftoi sot fillimin e foltores parlamentaro-qytetare para Kryeministrisë, duke e cilësuar këtë hap si çeljen e siparit të një stine të pandërprerë protestash. Sipas tij, kërkesa e vetme e opozitës është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe Lubi Ballukut, si parakusht për një qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme.
Berisha theksoi se opozita ka bërë gjithçka për të garantuar një proces zgjedhor të drejtë, por sipas tij, qeveria e ka shndërruar procesin në një farsë zgjedhore.
“Sot çdo shqiptar që ka ideal votën e lirë dhe do të luftojë për të, ka në duar dokumente kombëtare dhe ndërkombëtare që provojnë se Edi Rama zhvillon farsë dhe jo zgjedhje. Opozita ia doli të mbrojë votën e shqiptarëve në kuptimin ligjor, kombëtar dhe ndërkombëtar,” tha Berisha.
Ai u shpreh se rikthimi i votës së lirë është në duart e qytetarëve shqiptarë, përmes reagimit dhe betejës së tyre për drejtësi dhe demokraci.
Berisha paralajmëroi se PD do të përballet dhëmb për dhëmb me qeverinë, duke e përshkruar atë si një qeveri të krimit dhe drogës, dhe do të bëjë gjithçka për të rikthyer votën e lirë në Shqipëri.



