Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se anëtarësia e PD-së duhet të vendosë përmes votës, duke e cilësuar këtë si një standard bazë demokratik. Deklaratat Berisha i bëri gjatë një mbledhjeje me kryetarët e degëve të Partisë Demokratike në të gjithë vendin.
Berisha theksoi se primaret mbeten rruga e vetme për të dëgjuar zërin e anëtarësisë, por shtoi se ky proces kërkon domosdoshmërisht regjistra të saktë dhe të rregullt, të cilët sipas tij janë përgjegjësi direkte e strukturave lokale të partisë.
“Anëtarësia jonë duhet të flasë me votë. Ky është standard demokratik. Por për ta bërë këtë, ne duhet të kemi regjistra të vërtetë dhe të rregullt,” u shpreh Berisha, duke kërkuar angazhim maksimal nga kryetarët dhe sekretarët e degëve në përditësimin e listave të anëtarësisë.
Lideri i opozitës theksoi se Partia Demokratike duhet t’i rikthehet organizimit dhe terrenit, duke pranuar se ndryshimet demografike dhe emigracioni kanë ndikuar ndjeshëm në funksionimin e strukturave partiake.
“Ne nuk jemi më ata që ishim në vitet ’90. Terreni ka ndryshuar dhe ne duhet të përshtatim organizimin e partisë me realitetin e sotëm,” tha Berisha.
Ai garantoi se procesi i regjistrimit të anëtarësisë nuk ka për qëllim përjashtimin, por përkundrazi hapjen e partisë për çdo demokrat që dëshiron të angazhohet. Sipas tij, të gjithë anëtarët e PD-së nga vitet ’90 e deri më sot janë të mirëpritur, me përjashtim të atyre që, siç u shpreh ai, “kanë ngrënë kafshatën e turpit” dhe kanë vepruar kundër interesave të partisë.
Në përfundim, Berisha kërkoi nga strukturat vendore që të fokusohen te riorganizimi i Partisë Demokratike, duke e cilësuar këtë si detyrën kryesore politike për periudhën në vijim.



