Në konferencën e sotme me gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta për atë që ai e konsideron si një izolim total ndërkombëtar të Kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se pas dështimit në Davos, tashmë ‘Ramës i mbyllin edhe dyert e Konferencës së Mynihut’.
Sipas tij, ky nuk është thjesht një incident protokolli, por një ‘ndëshkim diplomatik i hajdutit që mbron Lubinë’, duke iu referuar kështu bashkëpunëtorëve të ngushtë të kryeministrit. Berisha e cilësoi praninë e Ramës në skenën ndërkombëtare si të padëshirueshme, duke u shprehur se ‘i zoti i shtëpisë, iniciatori kryesor i këtij forumi, nuk donte të turpëronte sallën me praninë e Edi Ramës’.
Duke përdorur një gjuhë me ironi dhe metafora popullore, kryetari i PD-së Sali Berisha u ndal te prania e ish-deputetit Dash Sula në krah të kryeministrit, duke thënë se ‘ekziston shprehja popullore, puthu me Milon, por sot kjo është, puthu me Dashin’, si një tregues i degradimit politik të mazhorancës.
Lideri i opozitës vlerësoi gjatë konferencës së tij, se ky izolim vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e qëndresës qytetare, duke thënë se ‘ishte ky zë, i cili sensibilizoi, i cili nxiti, ndihmoi, lehtësoi, vendimet më të rëndësishme ndaj një personi që është armik i rrezikshëm për kombin shqiptar’.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha paralajmëroi Edi Ramën, se asnjë manovër ligjore, siç janë ndryshimet në Kodin Penal, nuk do ta shpëtojë qeverinë nga ajo që ai e quan ‘kryengritje paqësore’.
Berisha u shpreh i bindur se ‘Edi Rama nuk dorëzon veten e tij… ai e ka të qartë si drita e diellit, se pezullimi i Lubisë, do të thotë pezullimi i tij’, duke i lënë rrugë kështu një përballjeje edhe më të ashpër në protestën e paralajmëruar të 20 shkurtit, ku sipas tij, ‘paqja është forca’ dhe opozita do të jetë në fushëbetejë deri në fitoren përfundimtare.

FJALA E PLOTE:
Ekziston shprehja popullore, puthu me Milon, por sot kjo është, puthu me Dashin.
Edi Rama sot që kishte prenotuar hotele, salltanete dhe bëhej gati komunikata të parafabrikuara të na dërgonte nga konferenca më e rëndësishme vjetore e sigurisë në botë, që është Konferenca e Mynihut, nuk shkoi dot.
Ai dhe ekipi i tij nuk u nis dot për Mynih, e anuloi.
Batoni me një pjesë të ekipit është në Mynih duke e pritur, por Rama, thashë edhe njëherë, ajo që thotë populli puthu me Milon, u bë sot e vërtetë, puthu me Dash Sulën.
Ky është një akt për të cilin do të shpreh mirënjohjen më të madhe të gjithë atyre që i refuzuan takimet narkodiktatorit të Tiranës.
Të gjithë atyre që i anuluan takimet e fiksuara para vizitës së tij në Bruksel.
Të gjithë atyre që e bënë me qëndrimet e tyre Edi Ramën mish të huaj, trup të huaj në atë konferencë dhe ia mbyllën dyert.
Pra, në një hark kohor trejavor, në dy aktivitetet më të rëndësishme, absolutisht më të rëndësishmet të vitit, në forumin global të Davosit dhe në Davosin e sigurisë, që është Konferenca e Mynihut, dyer të mbyllura për kryehajdutin e kombit shqiptar.
Nderimin më të madh qytetarëve opozitarë, të cilët me protestat e tyre, u bënë zëri i ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve.
Të cilët me revoltën e tyre, me kryengritjen e tyre paqësore, u bënë zëri i ndërgjegjes qytetare dhe kombëtare të kombit shqiptar.
Dhe ky zë po jehon në Europë dhe në botë.
Ishte ky zë, i cili sensibilizoi, i cili nxiti, ndihmoi, lehtësoi, vendimet më të rëndësishme ndaj një personi që është armik i rrezikshëm për kombin shqiptar, edhe një armik i vërtetë për sigurinë e Europës dhe NATO-s, që quhet Edi Rama.
Pra është një rast për të shprehur mirënjohje ndaj të gjithë atyre që i rezervuan Edi Ramës atë që meriton.
Por një mirënjohje të pakufishme ndaj atyre të rinjve dhe të rejave, burrave dhe grave që u mblodhën në të katër anët e Shqipërisë në kryengritjen e tyre paqësore për të bërë që të dëgjohet zëri i tyre për aktet, vjedhjet e tmerrshme të Edi Ramës dhe aktet e tjera, në të gjitha kancelaritë e mëdha të Europës dhe të botës.
Një situatë të tillë, duhet të garantoj, se është nga më të papërsëriturat në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Është ndër më të papërsëriturat.
Nuk ka ndodhur kurrë që një vendi anëtar të NATO-s, t’i mbyllen dyert në forumin e Davosit, të mos lejohet të shkojë.
Me gjithë faktin se kishte deklaruar se me nder të madh pranonte anëtarësinë e Shqipërisë në Bordin e Paqes.
Por i zoti i shtëpisë, iniciatori kryesor i këtij forumi, nuk donte të turpëronte sallën Edi Rama me praninë e tij.
Dhe ai mbeti pa ftesë.
Por për t’i vënë kapak damkosjes së njeriut që përdor mandatet e krimit për të mbrojtur krimin dhe korrupsionin, vjedhjet e tij, për t’i vënë kapak ndëshkimit diplomatik dhe politik të hajdutit që përdor Lubinë si parzmore për mbrojtjen e vet, është kjo e pashembullta në historinë e Konferencës së Sigurisë në Mynih ku marrin pjesë ndër më të rëndësishmit të sigurisë në Europë dhe në botë.
Pra, natyrisht ju nuk mund të keni njoftim zyrtar nga Edi Rama, por unë u them se ekipi i dërguar mbeti i tromaksur, ndërsa në tavolinën gabimisht protokolli kishte vendosur edhe emrin e Edi Ramës, se do ishte.
Por dikush u kujtua dhe shkoi dhe e hoqi dhe atë, dhe Edi Rama nuk shkon dot në Mynih.
Është një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv për përpjekjen e opozitës shqiptare, për rikthimin e rendit kushtetues, rikthimin e shtetit ligjor, zgjedhjeve të lira, luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Ata, të cilët sulmojnë Sali Berishën se po njollos, sipas tyre Shqipërinë, u them puthuni me Dash Sulën, se Sali Berisha po mbron interesat e çdo shqiptari të ndershëm, e çdo atdhetari që e do Shqipërinë, e çdo qytetari që shikon të ardhmen e tij në vendin e tij.
Çdo shqiptari që do familjen e tij.



