Kreu i PD-së Sali Berisha, në konferencën e përjavshme për shtyp ka shpallur pogramin e PD-së.
Sipas tij bëhet fjalë për një ndryshim rrënjësor në programin e Partisë Demokratike.
“Ky ndryshim rrënjësor i programit të PD parashikon një ndërhyrje të fuqishme, një përmbysje të vërtetë në shpërndarjen e të ardhurave dhe pasurive publike në Shqipëri.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, shoqëria shqiptare sot është e ndarë me një hendek të tmerrshëm midis një pakice që pasurohet në mënyrë të papërmbajtur dhe pothuaj një shumice tjetër që varfërohet frikshëm gjithnjë e më shumë.
Parti e iniciativës së lirë, nuk beson kurrë PD se duke luftuar iniciativën e lirë, mund të luftojë varfërinë.
Por ajo që PD dhe qeveria e saj ka në dorë, të përmbysë skemën e gjertanishme të shpërndarjes së të ardhurave dhe pasurive publike në mënyrë që shqiptarët në vendin e tyre të kenë një jetë normale, pavarësisht nga aktiviteti i tyre”, është shprehur Berisha.
Sipas Berishës, sot Shqipëria është vendi me përqindjen më të lartë në Europë, dhe ndër më të lartat në botë, të varfërisë së popullatës, por e vërteta është edhe të mjerimit, të cilat nga një shpërndarje çnjerëzore e të ardhurave, nga plaçkitja masive e tyre dhe burimeve natyrore, ka arritur që varfëria e skajshme apo mjerimi të rritet nga 1.04 në 3.4 përqind, pra të rritet më shumë se tre herë, dhe varfëria relative të kalojë në 46 përqind dhe kjo është një sirenë alarmi, klithme që buçet në pothuajse gjysmën e vatrave shqiptare.
“Kemi shpallur para jush minimumin jetik 200 euro për çdo shqiptar.
Kemi shpallur dyfishimin e rrogave dhe pensioneve gjatë mandatit të parë.
Rritjes së pensioneve mbi bazën e 200 eurove të minimumit jetik.
Kemi shpallur heqjen e TVSH-së për ushqimet bazë.
Por, analiza e të gjitha këtyre masave, ballafaqimi i tyre me realitetin, tregon se janë të domosdoshme një seri masash të tjera.
Rikujtoj shqiptarët se italianët karshi nesh kanë nivelin e varfërisë ndën 780 euro, por u rikujtoj gjithashtu se italianët blejnë ushqimet në dyqanet e tyre më lirë se shqiptarët.
Më lirë se shqiptarët, të cilët vetëm për ushqimet shpenzojnë 40 përqind të të ardhurave të tyre.
Pra, unë nuk them se shqiptarët do arrijnë nivelin e italianëve, jo, nuk është ky synimi.
Por synimi është një rishpërndarje tërësisht tjetër e të ardhurave dhe pasurive natyrore.
Në qoftë se sot 80 përqind e të ardhurave shkojnë për t’u vjedhur nga qytetarët në investime kapitale, kjo shifër do të harrohet.
Përparësi absolute do ketë investimi tek njeriu dhe kapitali njerëzor, tek rroga, pensionet, minimumi jetik dhe një përpjekje e madhe për të shuar sirenat e mjerimit”, është shprehur Berisha.
Pjesë nga deklarata e Berishës:
PD do të bëjë një transformim rrënjësor, do përmbysë skemën e deritanishme të shpërndarjes së të ardhurave.
16 përqind të buxhetit merr Lubi Balluku sepse i ndan në 14 lote, 14 kontrata për 13 km rrugë të unazës së Tiranës, për të vjedhur 14 herë, kurse pensionistëve u lihen 16 milionë euro indeksim për vitin 2025 dhe bonusi i blerjes së votës kundërshtim flagrant me ligjet dhe Kushtetutën.
Besoj dhe jam i sigurt se me këtë transformim rrënjësor të platformës së shpërndarjes së të ardhurave në Shqipëri, e cila është e domosdoshme për të ndaluar vrapin e këtij varfërimi të frikshëm të shqiptarëve, shkak kryesor i largimit të tyre, do të jetë betimi dhe zotimi i PD.
Do të jetë platforma me të cilën ne duam të ndryshojmë dhe duam të firmosim ndryshimin e Shqipërisë.