Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë një deklarate për media ditën e sotme akuzoi qeverinë aktuale për një përpjekje të madhe për të zhdukur provat dhe dokumentet që lidhen me veprimtaritë kriminale të institucioneve shtetërore. Berisha tha se, për disa javë, ka pasur një fushatë të etheshme të djegies dhe grisjes së dokumenteve në disa dikastere, duke përfshirë Bashkinë e Tiranës dhe institucione të tjera si Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Jashtme.
Berisha tha se djegia e dokumenteve, veçanërisht në Bashkinë e Tiranës, është një krim i rëndë dhe bën thirrje për kujdes nga punonjësit e administratës shtetërore, duke i ftuar ata të mbajnë prova të çdo veprimtarie të paligjshme dhe të mos përfshihen në këto praktika. Berisha gjithashtu kritikoi mungesën e transparencës në shpenzimin e parave publike dhe kërkon hetime të mëtejshme për të gjetur ku kanë shkuar miliardat e shpenzuara nga qeveria.
Kryedemokrati, Sali Berisha akuzoi Erion Veliajn për mashtrim publik dhe manipulim të informacionit. Berisha u shpreh për media se Veliaj ka falsifikuar dokumente dhe ka tentuar të mbrojë veten duke mashtruar qytetarët dhe komunitetin ndërkombëtar me ku ai me çdo kusht donte të rëndonte pozicionin e prokurorit të dosjes. Berisha tha gjithashtu se Veliaj ka kërcënuar dëshmitarët dhe ka shpërfaqur një qëndrim kriminal, duke shpërndarë informacion të rremë. Berisha paralajmëron se nesër do të nisë përpilimi i aktakuzës ndaj Veliajt për mashtrim publik dhe se dosja e Griseldës mund t’i bashkohet atij.
Lideri demokrat deklaroi se në qeverisjen e Partisë Demokratike, Shqipëria nuk do të ketë kurrë prokurori politike, duke theksuar se prokuroritë politike janë tipike për diktaturat. Berisha paralajmëroi Edi Ramën të denoncojë çdo manipulim dhe mashtrim nëse nuk është në bashkëpunim me të, dhe e fton atë të qartësojë pjesën e tij.
Berisha akuzoi me tone të ashpra Ramën për tentativën për të kontrolluar sistemin e drejtësisë dhe për të ndërhyrë në lëshimin e urdhër-arresteve. Lidhur me dëgjesën e rektorit të Universitetit Bujqësor, Berisha u shpreh se Rama është në panik dhe dëshiron që çdo urdhër-arresti të kalojë për miratim në zyrën e tij para se të ekzekutohet.
FJALA E PLOTË
Regjimi po shkërmoqet, siç edhe ligji më i pandryshuar i diktaturave. Institucionet janë angazhuar në një përpjekje të ethshme për të zhdukur provat shkresore, dokumentet e veprimtarive të tyre kriminale.
Ka 3 javë që një proces i tillë, i ethshëm, po kryhet në disa dikastere. Ajo që patë sot në Bashkinë e Tiranës është vetëm maja e ajsbergut.
Ajo ka ndodhur siç është paralajmëruar në Këshillin e Ministrave në ministritë dhe agjencitë e Lubi Ballukut, Ministrinë e Jashtme, çuditërisht domethënë, se edhe ajo ka kusure të mëdha, Ministrinë e Brendshme, një përpjekje e tmerrshme e ethshme për t’u fshehur me djegie dhe grisjes dokumentesh. Siç e patë mbrëmë, qytetarët e Tiranës shprehën një shqetësim të madh, por pati edhe të tjerë që bënë humor, u inagurua ‘inceneratori i Tiranës’.
Djegia në Bashkinë e Tiranës, e dokumenteve, jo vetëm të bashkisë e bënë përgjegjëse këtë bashki për një krim shumë të rëndë, jo vetëm të bashkisë, por edhe institucione të tjera.
Ndaj edhe, iu bëj thirrje të gjithë punonjsve të administratës, njerëz të ndershëm të mbajnë kopje të çdo veprimtarie antiligjore kriminale të zyrtarëve të lartë të tyre. Të mos implikohen, të mos bëhen bashkëautorë në një proces karakteristik për përmbysjen e sistemeve. Të mos harrojnë se, gjurma digjitale do të gjendet edhe në hënë, kudo që të jetë dhe auditi i përgjithshëm për të gjetur se ku kanë shkuar 56 miliardë në 12 vite të Edi Ramës, të cilat nuk janë dhënë rroga dhe pensione.
Ndaj dhe, STOP DJEGIES SË DOKUMENTEVE! Stop, zhdukjes së tyre dhe zbrazies me shpejtësi të arkivane të dikastereve.
Unë gjithashtu, jam për të dënuar këtu me forcën më të madhe Griseldën bis të Lali Vjedhësit. Famoz në mashtrimet e tij publike, Lali Vjedhësi mashtroi qytetarët e Shqipërisë dhe komunitetit ndërkombëtar, duke postuar nga qelia procesverbal të falsifikuar dhe manipuluar, me të cilin ai me çdo kusht donte të rëndonte pozicionin e prokurorit të dosjes.
Duke dënuar me forcën më të madhe këtë qendrim banditesk, e informoj Erion Veliajn dhe publikun se, ai nesër do të denoncohet për mashtrim publik dhe shihen modalitetet që kësaj dosje t’i bashkohet edhe dosja e Griseldës, e cila nuk mund t’i harrohet.
Me mashtrimin e djeshëm ndaj publikut, Erion Veliaj tregoi se, për t’i shpëtuar krimeve që ka kryer është i aftë të ndërmarrë çdo veprim.
Unë ju deklarova se ai po kërcënon indirekt dëshmitarë, duke i dërguar mesazhe personale, apo duke kërcënuar se e kemi personale prokurorin. Por dje ai e shpërkallëzoi qendrimin e tij kriminal. E përshkallëzoi duke mashtruar qytetarët shqiptarë, sikur prokurori i paska thënë atij një fjalë të dënueshme. Por, publikimi nga gjykata të audios së atij momenti tregonte se çfarë njeriu pa karakter dhe pa moral ka qeverisur bashkinë e Tiranës.
Ndaj dhe, nesër nis përpilimi i aktakuzës ndaj tij. Do të paditet për mashtrim të rremë publik.
Paralajmëroj Edi Ramën të denoncojë këtë akt manipulativ dhe mashtrues, në rast se nuk është në bashkëpunim me të. Në atë njoftim edhe Edi Rama ka pjesën e tij, ndaj edhe urgjentisht do të qartësojë pjesën e tij.
Faleminderit!
Tani, nuk duhet, mendoj unë, të bëjmë interpretime jashtë kontekstit. Ajo që kam deklaruar dhe deklaroj unë, se kurrë në qeverisjen e PD, Shqipëria nuk do të ketë prokurori politike. Këtë ta ketë të qartë çdo qytetar shqiptar. Prokuroritë politike janë prokurori diktaturash.
Por, unë ftoj qytetarët, meqënëse është një gjeneratë e tërë që nuk ka jetuar diktaturën dhe më shumë, të mos harrojnë se gjatë diktaturës prokuroria staliniste e pushtetit të Enver Hoxhës, krahas dënimeve politike, jepte me dhjetëra, qindra dhe mijëra dënime për krime jopolitike ordinere.
Për ata që e riujtojnë atë kohë, Skapi sot bën të njëjtën gjë krahas dënimeve politike për llogari të Edi Ramës jep dhe dënime të tjera. Por, e para ishte prokurori politike, dhe e dyta është po kështu kaq politike. Dhe kështu, Shqipëria një vend i lirë, sovran i pavarur nuk mund të ketë kurrë, dhe nuk do ketë kurrë prokurori politike.
Kjo është përgjigja ime për qytetarët shqiptarë.
Pyetje: Urdhër-arreste nga Prokuroria e Posaçme në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Ditën e nesërme, kryeministri Rama do të marrë në dëgjesë rektorin e universitetit me mbledhje të grupit parlamentar të PS. Si e shikoni këtë zhvillim dhe këtë lëvizje të kryeministrit?
Berisha: Këto qendrime, së pari, dëshmojnë edhe njëherë se, Edi Rama është në tmerr, është në panik. Dëshmojnë shumë qartë se, kërkon që çdo urdhërarresti para se të ekzekutohet apo të lëshohet të kalojë nga zyra e tij, të marrin lejen e tij.
Së fundmi, përdor me një rast të pashembullt, nuk kam dëgjuar ndonjëherë, dhe kjo është vazhdimi i grushtit të shtetit. Grushti i shtetit brenda shtetit quhet atëherë kur njëra degë e pushtetit, në rastin konkret dega ekzekutive, do të marrë fuqi dhe pushtet të degës tjetër, degës gjyqësore.
E nisën me rrethimin e gjykatës dhe marrjen peng për disa orë të gjykatësve. Tani vazhdojnë të bëjnë dëgjesë publike për vendimet e gjykatës. Pra, çfarë tregojnë këto? Tregojnë se, Edi Rama është i vendosur të kontrollojë çdo mandat arresti në Shqipëri.
Pyetje: Tashmë çdo ditë në selinë blu mbërrijnë aletatët e PD, të cilët po negociojnë për mandatet në listën e sigurtë dhe listën e hapur. Ka një kuotë PD se sa mund t’ju ofrojë aleatëve në listë të mbyllur?
Berisha: Sigurisht që aleatët do kenë kandidatë dhe kjo kuotë është ne negocim e sipër, patjetër. Ka ekzistuar, do ekzistojë ajo. Rezultati përfundimtar do t’u njoftohet, por këtë duhet ta dinë të gjithë anëtarët dhe mbështetësit tanë. Koalicioni bëhet mbi bazën e një rekordi elektoral, duke patur parasysh rekord elektoral. Dhe ai nuk mund të shkelmohet.