Kreu i PD, Sali Berisha, kritikoi ashpër kundërshtarët e brendshëm gjatë një bashkëbisedimi live me ndjekësit në rrjetet sociale, duke i akuzuar se bashkëpunojnë me qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama.
Berisha tha se ka bashkuar Partinë Demokratike, por sipas tij, brenda saj kishte edhe një përçarje mes demokratëve, e cila tani është finalizuar:
“Natyrisht, ne kaluam në proces, dhe kjo moto ishte: Për një PD më të hapur, më të fortë, më të bashkuar. Mendoj se demokratët u bashkuan. Por mbi bazën e kontributit që kanë, nuk ia mohoj asnjeriu”, u shpreh ai.
Kreu i PD-së sulmoi më tej ish-kryetarin Lulzim Basha dhe deputetin Ervin Salianji, duke i cilësuar si “fatkëqinj” dhe “të përdorur në shkallë ekstreme nga Edi Rama”:
“Nuk bëhet fjalë këtu për Bashën dhe Salianjin. Këta janë fatkëqinj, njerëz të përdorur në shkallë ekstreme nga Edi Rama. Mund të thuash janë deshër të errësirës. Këta janë një lloj Dash Sule me petkun e demokratit. Nuk kanë asgjë të përbashkët me PD-në, as njëri as tjetri”, deklaroi Berisha.



