Ish-kryeministri Sali Berisha ka vijuar akuzat ndaj sistemit të drejtësisë, duke shënjestruar këtë herë gjyqtaren Irena Gjoka dhe prokurorin Altin Dumani.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se Këshilli i Lartë Gjyqësor po mbron Gjokën, ndonëse sipas tij ajo ka konsumuar “tre vepra penale”, përfshirë mashtrime në deklarimin e pasurisë dhe në procesin e vetingut.
“Irena me 3 mbiemra ka justifikuar pasurinë me një hua të marrë në vitin 1996, duke iu referuar nenit 830 të Kodit Civil, i cili është futur në fuqi vetëm në vitin 2015. Ky është mashtrim trashanik, por KLGJ nuk merr asnjë vendim,” – tha Berisha.
Ai shtoi se sipas dokumenteve zyrtare me vulë apostile nga Gjykata e Janinës, Gjoka është dënuar me tre muaj burg. Megjithatë, sipas tij, Altin Troplini ka hapur një çështje pa emër “për ta mbrojtur me çdo kusht”.
“Troplini, i dekoruar sot nga Elvis Doçi, mbron Irenën sepse janë bashkëpunëtorë në krim. Kjo është fytyra e vërtetë e këtij sistemi,” deklaroi Berisha.