back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 17 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetBerisha: Zgjedhjet në Shqipëri, si ato të Zimbabve nën diktatorin Mugabe

Berisha: Zgjedhjet në Shqipëri, si ato të Zimbabve nën diktatorin Mugabe

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konference për media deklaroi se, se zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri përfaqësojnë farsën më të rëndë elektorale të 34 viteve të fundit, duke i krahasuar ato me proceset zgjedhore të diktaturës së Mugabe në Zimbabve.

I sapokthyer nga Brukseli ku mori pjesë në forumin e Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar, Berisha tha se kishte denoncuar para përfaqësuesve të qendrës së djathtë dhe institucioneve europiane vjedhjen masive të votës nga ana e qeverisë Rama.

Ai përmendi bonusin prej 100 euro për pensionistë, faljen e gjobave në masën 200 milionë euro, punësimet dhe kultivimin e kanabisit në funksion të blerjes së votës si prova të manipulimit të zgjedhjeve.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha u ndal në pjesëmarrjen e tij në seancën plenare të Byrosë Ekzekutive të Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar (IDU), ku, së bashku me Fatmir Mediun, ka denoncuar para lidershipit global të qendrës së djathtë farsën zgjedhore të 11 majit në Shqipëri. Ai theksoi se raportet e OSBE/ODIHR, Parlamentit Europian dhe Këshillit të Europës janë dëshmi të qarta të manipulimeve dhe janë pritur me indinjatë nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilët e krahasuan gjendjen në Shqipëri me atë të Venezuelës së Maduros.

Lideri i opozitës, Sali Berisha, akuzoi akuzuar mazhorancën për manipulime masive me votën e emigrantëve, duke theksuar se rezultati në kutitë e votimit është “i gatuar nga kriminelë elektoralë të PS-së” dhe nuk përfaqëson vullnetin e lirë të shqiptarëve në diasporë. Berisha deklaroi se opozita disponon të dhëna të sigurta mbi manipulimet monstruoze të ndodhura në Greqi, Itali, veçanërisht në Romë, dhe në disa zona të tjera, ndërsa shtoi se e njeh edhe mekanizmin e këtij mashtrimi.

Megjithatë, ai tha se ndjekja e procesit zgjedhor është një detyrim i lindur nga respekti për ligjin dhe shtetin ligjor, edhe kur procesi është i deformuar.

Berisha theksoi vendosmërinë e forcës politike që drejton për të denoncuar çdo parregullsi, blerje vote apo shkelje të ligjit, ndërsa shprehu bindjen e tij të thellë se faktori ndërkombëtar do të qëndrojë në anën e votës së lirë të qytetarëve shqiptarë.

Ai paralajmëroi një angazhim të dyfishtë të PD-së – si në terren, përmes lëvizjeve të fuqishme brenda vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, përmes dialogut intensiv me partnerët dhe organizatat ndërkombëtare, për të vërtetuar, sipas tij, manipulimin e procesit zgjedhor.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha theksoi se rezultatet janë të fabrikuara në mënyrën më të paimagjinueshme dhe paralajmëroi ndëshkim ndërkombëtar ndaj asaj që e cilësoi si batërdi zgjedhore. Ai u zotua se beteja politike do të vazhdojë në të gjitha frontet, ndërsa njoftoi mobilizim popullor kundër asaj që quajti narkodiktaturë.

FJALA E PLOTE:

Mirëdita!

Dje u ktheva nga Brukseli, ku mora pjesë në forumin e Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar, organizatë që grupon 87 parti politike të qendrës së djathtë dhe konservatore nga të gjitha vendet e botës.

Qëllimi i këtij udhëtimi ishte mbrojtja e votës së qytetarëve shqiptarë.

Denoncimi i farsës më të shëmtuar elektorale, të 34 viteve të fundit, farsës së zgjedhjeve të 11 majit 2025.

Gjatë dy ditëve të qëndrimit tim në Bruksel, 15 dhe 16 maj, unë pata takime intensive me drejtuesit më kryesorë të Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar, presidentin Stefan Harper, sekretaren e përgjithshme, Tina Mercep.

Ndër të tjera takova shumë miq të vjetër, por dhe miq të rinj udhëheqës të forcave politike kryesore të qendrës së djathtë në Europë dhe botë.

Takova Europarlamentar me interesa për zhvillimin e proceseve elektorale në Shqipëri.

Përfaqësues të rëndësishëm të qendrës së djathtë në Parlamentin Europian.

Në të gjitha këto takime, unë njoha bashkëbiseduesit e mi, me vjedhjen e madhe të hapur dhe publike të votës së qytetarëve shqiptarë, nga narkodiktatori Edi Rama, dhe në këtë aspekt u paraqitën vendimet e qeverisë për bonusin famoz, 100 euro për votë për çdo pensionist, 76 mln euro.

Vendimi për të falur gjobat, 200 mln euro.

Punësimet dhjetëra, e mijëra punësime për votë.

Dhjetëra mijëra hektarë kanabis për votë.

Janë këto akte të cilat rrëzojnë në mënyrë përfundimtare farsën elektorale të 11 majit.

Pa llogaritur këtu ndërhyrjet e fuqishme të krimit të organizuar në 20 bashki të vendit dhe në 10 qarqe.

Rezultatet e këtyre ndërhyrjeve kulmuan me më të votuarit e të votuarve në Shqipëri, persona anonim si Sara Mila, Arkend Balla, etj.

Pra, në totalitet do ta përmbledh se çfarë ishin zgjedhjet në Shqipëri me një fjalën e një miku të çmuar të Shqipërisë.

Zgjedhjet në Shqipëri, deklaroi ai, ishin të njëjta me ato që kisha parë dekada me parë në Zimbabve, të diktatorit Mugabe.

Nga ana tjetër, së bashku me Fatmir Mediun, në seancën plenare të byrosë ekzekutive ku merrnin pjesë kryetarët dhe përfaqësues e të gjitha partive politike, të aderuara në IDU, ai ishte një rast i artë për të bërë avokatinë e votës së vjedhur të qytetarëve shqiptarë, para lidershipit ndërkombëtar të qendrës së djathtë dhe forcës konservatore.

Në këtë kuadër raporti i vëzhguesve ndërkombëtar, OSBE-ODIHR, Parlamenti Europian dhe Këshilli i Europës, janë një dokument jashtëzakonisht i çmuar.

Por faktet tronditëse të marra nga ky raport dhe gjetjet tona u paraqitën në seancën plenare, të debateve për gjendjen në botë, dhe zgjuan indinjatë dhe dënim nga të pranishmit, të cilët kuptuan se gjendja në Shqipëri, ishte gjendja e një narkodiktature e ngjashme me Venezuelën e Maduros, apo regjime të tjera të ngjashme të drogës dhe krimit.

Si përfundim, mund ti them shqiptarëve se, ky hap i parë shumë i rëndësishëm në mbrojtje të votës së tyre, që vinte pas një seri aktesh madhore të mishëruara me 4 rezoluta që dënojnë narkoregjimin e Edi Ramës, ishte pra edhe një vazhdimësi dhe një sukses tjetër në realizimin e qëllimit tonë.

Beteja për mbrojtjen e votës, është një betejë që do zhvillohet në Shqipëri, por do zhvillohet dhe jashtë saj, por zgjedhjet janë një proces që janë sa kombëtar, aq dhe ndërkombëtar.

Ne jemi të angazhuar të bëjmë çdo përpjekje për të mbrojtur, për të rikthyer të drejtën e shqiptarëve për të votuar si qytetar të lirë.

Ky është qëllimi më madhor i PD-së dhe opozitës së vërtetë shqiptare.

Sot ata që nuk përcaktojnë si qëllimin më madhor këtë objektiv, janë thjeshtë një stoli i narkodiktatorit, altoparlant, apo lakej të tij.

Ne do të qëndrojmë me të gjithë potencialin dhe fuqinë tonë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat