Gjatë tryezës së organizuar nga Partia Demokratike me partitë opozitare dhe përfaqësues të shoqërisë civile, foli edhe humoristi Florian Binaj, i cili bëri një thirrje për bashkëpunim dhe mirëkuptim mes aktorëve politikë.
Binaj theksoi se gjatë viteve të fundit është humbur shumë kohë duke u përqendruar tek dallimet mes partive dhe se nuk është bërë mjaftueshëm për të nxjerrë përparësi nga ngjashmëritë.
“Gjatë gjithë kësaj kohe, kemi harxhuar kohë duke parë nga njëri-tjetri jo ku ngjajmë, por ku dallojmë. Tani është koha që të pranojmë njëri-tjetrin ashtu siç jemi, të ndryshëm, pa u përpjekur që njëri të marrë formën e tjetrit,” tha Binaj.
Ai shtoi se përplasjet politike kanë qenë të tepërta dhe se situata në vend kërkon marrëveshje:
“Jemi marrë mjaftueshëm nëpër këmbë, jemi sharë mjaftueshëm nëpër gojë, tani ose duhet të merremi vesh, ose nuk duhet të qahemi pastaj nëse do na marrim më qafë,” u shpreh humoristi.
Në përfundim të fjalës së tij, Binaj falënderoi pjesëmarrësit dhe u largua nga tryeza, duke thënë: “Më falni që po iki, por më duhet të marr fëmijët nga shkolla.”



