Ndërsa Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural deklaron se është në proces akreditimi të procedurave të reja për programin IPARD III dhe në pritje të marrëveshjes së financimit, Komisioni Europian shprehet se ende nuk ka një afat për zhbllokimin e fondeve.
Në një reagim për Report TV, Komisioni Europian thekson se aktualisht është në zhvillim një procedurë dypalëshe me autoritetet shqiptare, me qëllim vendosjen e masave korrigjuese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian.
Sipas Brukselit, ndryshe nga sa pretendohet nga pala shqiptare, nuk mund të jepet ende autorizimi për fondet IPARD III. Kjo pasi autoritetet shqiptare duhet fillimisht të kërkojnë zyrtarisht që t’u besohet menaxhimi i këtyre fondeve, në përputhje me marrëveshjet dhe procedurat përkatëse.
“Meqenëse Komisioni Europian nuk ka marrë një kërkesë të tillë për momentin, nuk është e mundur të thuhet se kur mund të jepet ky autorizim”, thuhet në reagim.
Komisioni Europian thekson gjithashtu se kjo çështje duhet të merret me seriozitet maksimal nga autoritetet shqiptare, duke qenë se bëhet fjalë për fondet e taksapaguesve të BE-së.
Kujtojmë se fondet IPARD janë bllokuar prej rreth tre vitesh, pas dyshimeve për abuzime me këto skema financimi nga zyrtarë të institucioneve shqiptare.
Programi IPARD III parashikon një fond prej 112 milionë eurosh për Shqipërinë dhe përfshin 9 masa mbështetëse për sektorin bujqësor dhe rural, duke përfshirë investime në agro-përpunim, agro-turizëm, infrastrukturë rurale, tregje bujqësore, pylltari, si dhe asistencë teknike për fermerët.



