Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i cili është edhe bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, deklaron se opozita nuk do të marrë pjesë në tryezën për këtë reformë pa reflektimin e maxhorancës dhe largimin e kryeministrit Edi Rama.
Në një intervistë për A2 CNN, Boçi theksoi se klima politike aktuale nuk është e përshtatshme për të realizuar reforma, duke akuzuar maxhorancën se ka bllokuar hapësirat e opozitës.
“Do të duhet që kjo reformë të lidhet me largimin e qeverisë aktuale dhe krijimin e një qeverie tranzitore që ndër të tjera realizon Reformën Territoriale. Duhet respektuar refleksioni në Parlament, të respektohen të drejtat e opozitës, të lejohet krijimi i komisioneve hetimore, mocioneve me debat dhe interpelancave me Kryeministrin që nuk vjen, dhe me zëvendëskryeministren që është kapur në korrupsion. Për më tepër, duhet respektuar konsensusi politik”, tha Boçi.
Ai shtoi se në rast të plotësimit të këtyre kushteve, demokratët kanë gati propozimet e tyre për reformën. Boçi theksoi nevojën për rritjen e numrit të bashkive dhe kompetencave të tyre, duke kritikuar reformën e vitit 2015, të cilën e cilëson si të dështuar dhe me një ndarje që shërben më shumë për interesa elektorale sesa për administrimin e qytetarëve.
“Ndërhyrja duhet të jetë logjike, me qëllim që të ruhet autonomia vendore dhe kompetencat e bashkive. Kjo është kritika më e madhe që vjen nga Bashkimi Evropian”, shtoi Boçi.
Sipas nënkryetarit të PD, respektimi i rekomandimeve të BE-së është thelbësor për Reformën Territoriale dhe pjesëmarrja e opozitës do të varet nga respektimi i këtyre parimeve.



