Partia Socialiste i është drejtuar me një shkresë kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, ku kërkon marrjen e shumicës dhe drejtimit të Komisionit Parlamentar për Reformën Administrative-Territoriale. Kërkesa vjen pas bojkotit të vazhdueshëm të këtij komisioni nga Partia Demokratike.
Në dokumentin e firmosur nga anëtarët socialistë të komisionit, PS rendit argumentet pse, sipas saj, është i domosdoshëm ndryshimi i menjëhershëm i përbërjes dhe mënyrës së funksionimit të komisionit, në kushtet e mungesës së opozitës.
Socialistët theksojnë se opozita nuk ka qenë e rregullt në pjesëmarrje, duke munguar në katër mbledhje radhazi të parashikuara dhe të njoftuara zyrtarisht. Sipas shkresës, që prej krijimit të Komisionit janë njoftuar mbledhje në datat 11 nëntor 2025, 27 nëntor 2025, 17 dhjetor 2025 dhe 22 janar 2026.
Në mbledhjen e parë, më 11 nëntor 2025, nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Partisë Demokratike, ndërsa kanë qenë prezent vetëm përfaqësues të Aleancës për Ndryshim dhe Partisë së Lirisë. Komisioni u konstituua formalisht dhe, sipas PS-së, u bënë thirrje për pjesëmarrje aktive të PD-së.
Mbledhja e dytë, më 27 nëntor 2025, u zhvillua me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve, ku u miratua plani i punës dhe struktura e ekspertëve, ndërsa vendimi për emërimin e sekretarit të komisionit u shty. Ndërkohë, mbledhja e planifikuar për 17 dhjetor 2025 dhe ajo e radhës më 22 janar 2026 nuk u zhvilluan për mungesë kuorumi, pasi asnjë përfaqësues i opozitës nuk u paraqit, pavarësisht njoftimeve zyrtare.
Sipas PS-së, nga katër mbledhje të njoftuara rregullisht, vetëm një është zhvilluar me përbërje të plotë të opozitës. Socialistët kujtojnë se mandati i Komisionit është parashikuar të zgjasë 9 muaj, për të garantuar miratimin e reformës administrative-territoriale një vit përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Në këtë kontekst, PS argumenton se bojkoti i opozitës rrezikon zbatimin në kohë të reformës, e cila konsiderohet një prioritet kyç i programit të mazhorancës “Shqipëria 2030” dhe një element i rëndësishëm në procesin e integrimit europian. Për këtë arsye, socialistët propozojnë ndryshimin e përbërjes dhe mënyrës së punës së Komisionit.



