Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sot pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg për pesë ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, të pandehur në një prej fraksioneve të dosjes së njohur si “5D”.
Trupa gjykuese e Apelit, e kryesuar nga Miliana Muça, me anëtare Saida Dollani dhe Tereza Merkaj, ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për fajësinë dhe masën e dënimit, por ka ndryshuar mënyrën e ekzekutimit të tij.
Të pandehurit Eglantina Qyta, Enkelejda Qyta, Bruno Koçi, Rivjola Baxha dhe Kristo Zhulati janë shpallur fajtorë për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim. Apeli ka vendosur pezullimin e dënimit me burg dhe kalimin e tyre në Shërbim Prove për një periudhë 12-mujore.
Gjatë kësaj kohe, të dënuarit kanë detyrimin të paraqiten pranë Shërbimit të Provës dhe të mos kryejnë vepra të tjera penale. Po ashtu, ndaj të pestëve është vendosur ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë prej pesë vitesh.
Vendimi u shpall në Tiranë dhe ndaj tij palët kanë të drejtë të paraqesin rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 15 ditëve.



