Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar lidhur me përmbytjet që kanë përfshirë vendin tonë ditët e fundit, duke theksuar se problemi vazhdon edhe pse reshjet e shiut kanë pushuar.
Sipas Braçes, pagesat për dëmet shërbejnë vetëm si kompensim për humbjet ekonomike të qytetarëve, si bagëtitë dhe të mbjellat, por theksi duhet të vihet te eliminimi i faktorëve që shkaktojnë këto dëme, kryesisht përmes mirëmbajtjes së infrastrukturës.
Deputeti ka vënë në dukje mungesën e kujdesit për argjinaturat, të cilat sipas tij nuk mirëmbahen dhe nuk monitorohen, duke çuar në çarje dhe dëmtime, madje edhe pas ndalimit të reshjeve.
“Ne nuk mund të kthehemi vetëm në një shtet që paguan dëmet, duhet të merremi me eliminimin e faktorëve që çojnë në këto dëme, infrastruktura, ajo që na takon ne. Këto që po lexoj me çarje argjinaturash tani pas reshjeve nga lumenj që fryhen, natyrisht ka pasoja për sjelljen e shtetit. Argjinaturat sot janë mall pa zot, nuk kujdeset kush sot, nuk ka roje”, deklaroi Braçe.
Ai shtoi se vetë ka përjetuar pasojat e moskujdesit, duke marrë shembull Divjakën, dhe theksoi nevojën për ndryshime në menaxhimin e veprave jetike për banorët dhe pagesat për mirëmbajtjen e tyre.



