Deputeti socialist Erion Braçe ka zbuluar publikisht se marrëdhëniet e tij me kryeministrin Edi Rama janë ndërprerë. Ai tha se mes tyre nuk ka më komunikim, për shkak të qëndrimit që mbajti ndaj procesit të shkarkimit të Erion Veliajt dhe shpalljes së zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës.
Gjatë një interviste në emisionin “Kjo Javë” në News24, Braçe u shpreh se ai kishte kërkuar që të pritej vendimi i Gjykatës Kushtetuese përpara se të merreshin vendime politike, ndërsa theksoi se gjykata i dha atij të drejtë.
“Kur kam të drejtë, kam të drejtë, dhe të drejtën time nuk e negocioj me askënd,” – u shpreh Braçe.
“Thashë publikisht se duhej pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e zotit Veliaj dhe shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë. Me këtë vendim rezulton se paskam pasur të drejtë.”
Gazetarja Nisida Tufa e pyeti drejtëpërdrejt se si është sot marrëdhënia e tij me kryeministrin. Braçe u përgjigj shkurt dhe qartë:
“Jo, tani nuk flasim.”
Ai shtoi se në marrëdhëniet politike dhe njerëzore duhen respektuar kufijtë dhe parimet, duke nënvizuar se nuk mund të pranojë vendime që bien ndesh me bindjet e tij.
“Duhet të ketë gjithmonë një pauzë për të reflektuar secili. Unë kam bindjet e mia dhe nuk dua që të më cenohen kufijtë që unë ngre,” – tha Braçe.
“Nuk kam folur pas vendimit të Kushtetueses”
Deputeti socialist sqaroi se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili rrëzoi procedurën e shkarkimit dhe pezullimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, ai ka zgjedhur të mos komentojë më publikisht situatën, por theksoi se zhvillimet e fundit e konfirmuan plotësisht qëndrimin e tij të mëparshëm.
Deklaratat e Braçes vijnë në një moment kur Partia Socialiste përballet me tensione të brendshme pas vendimit të Kushtetueses, i cili konsiderohet një goditje e drejtpërdrejtë ndaj procesit të nisur nga qeveria dhe Këshilli Bashkiak për zëvendësimin e Veliajt.



