Rreth 400 pasagjerë, të cilët udhëtonin nga Bergamo dhe Bologna drejt Aeroportit të Rinasit, mbetën të bllokuar në aeroportin e Brindisit për shkak të motit të keq.
Sipas informacionit të siguruar nga korrespondenti i Top Channel, Mikel Marsi, 220 prej pasagjerëve tashmë po hyjnë në traget për t’u nisur drejt Shqipërisë, ndërsa pjesa tjetër janë detyruar të kthehen.
Pasagjerët kanë qëndruar për orë të tëra në aeroport, duke u përballur me mungesë informacioni dhe alternativash për udhëtimin. Disa prej tyre protestuan për shkak të vonesave dhe organizimit të dobët, duke penguar edhe proceset normale të shërbimeve në aeroport.
Sipas pasagjerëve, kompania ajrore Wizz Air nuk ka ofruar akomodim, transport alternativ apo sqarime të qarta, duke i lënë të bllokuar dhe të pakënaqur.
Autoritetet e aeroportit dhe stafet e trageteve po punojnë për të zgjidhur situatën dhe për të mundësuar nisjen sa më të shpejtë të pasagjerëve drejt destinacionit të tyre.



