I ftuar në emisionin “Now” në Euronews Albania, ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati deklaroi se kontributi i tij për Partinë Socialiste, si familja e tij politike, nuk do të mungojë sa herë që ai të kërkohet.
Bushati komentoi përjashtimin nga lista e zgjedhjeve të vitit 2021 dhe largimin nga kryesia e PS, duke thënë se ishte një vendimmarrje personale e kryeministrit Edi Rama, por ai vetë nuk ka ndërmend të bëjë “asnjë kapërcim politik”.
“Unë jam i ri për t’i thënë lamtumirë politikës. Ka qenë një vendimmarrje e kryesisë për të mos më përfshirë në zgjedhjet e 2021 dhe e Ramës për të më larguar nga kryesia.
Spaletat janë të rëndësishme, por jo sa karakteri i njeriut. Unë jam aty ku kam qenë gjithmonë, nuk kam ndërruar organizatë politike dhe nuk i kam vlerësuar kurrë ata që kanë ndërruar fanellë politike”, – tha Bushati.
Ai shtoi se PS është partia që i përket, me të mirat dhe të këqijat, dhe për sa kohë të ketë energji, do të vazhdojë të kontribuojë.
Bushati komentoi edhe polemikat e fundit mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit britanik Nigel Farage, i cili deklaroi se shqiptarët në Britani janë një ndër grupet më të përfshira në kriminalitet.
“Justifikimi i politikanëve britanikë me shqiptarët për gjendjen e vendit të tyre është i papranueshëm. Kjo lloj stigmatizimi është e dëmshme dhe e gabuar,” – u shpreh Bushati.
Ai theksoi gjithashtu se e mbështet çdo reagim të qeverisë shqiptare ndaj deklaratave të tilla, por sipas tij, nuk është e nevojshme që Shqipëria t’i kujtojë Mbretërisë së Bashkuar pasojat e Brexit.
“Kombit britanik nuk i bën punë që një politikan nga Shqipëria t’i japë leksione për Brexit. Kjo është çështje e brendshme e tyre,” – tha Bushati.