back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024
spot_img
KreuAktualitetKosova“Brezovica 1”, zyrtari i Ministrisë së Ambientit dënohet me 5 mijë euro...

“Brezovica 1”, zyrtari i Ministrisë së Ambientit dënohet me 5 mijë euro gjobë pasi pranoi fajësinë

Mustafë Hyseni, pasi e ka pranuar fajësinë, u dënua të premten me 6 muaj burg, të cilët iu zëvendësuan me një gjobë prej 5 mijë eurosh.

Kështu, Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Shefit të Departamentit për Mbrojtje të Mjedisit dhe Ujërave në Ministrinë e Ambientit që akuzohet se nuk kishte marrë veprime për ndaljen e ndërtimeve afër lumit në Brezovicë.

Këtë njoftim e dha kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj, e cila tha se i akuzuari Hyseni, për shkak të gjendjes shëndetësore kishte hequr dorë nga seanca për cekimin e dënimit, mirëpo mbetej pranë marrëveshjes për pranim fajësie, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e 4 nëntorit, gjykata kishte aprovuar marrëveshjen për pranim fajësisë të lidhur në mes të akuzuarit Mustafë Hyseni, mbrojtësit të tij Ymer Huruglica dhe prokurorit Rasim Maloku.

Sipas marrëveshjes të njëjtit gjykata kishte shpallur dënimin me 6 muaj burgim, të cilin me pëlqimin e të akuzuarit Hyseni, u shndërrua në 5 mijë euro gjobë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Hyseni dhe Halimi, po akuzohen se nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, në atë mënyrë që nuk kanë ndërmarrë veprimet ligjore-ekzekutive për të ndaluar ndërtimet e vikend-shtëpive dhe objekteve hoteliere në Parkun Kombëtar “Sharri”-vikend zona e Brezovicës, edhe pse ishin në dijeni se objektet ishin duke u ndërtuar pa pëlqime mjedisore dhe në afërsi të lumit.

Po ashtu, ngarkohen edhe për disa ndërtime edhe në zonën e dytë të Parkut, pasi që inspektorët kishin kryer veprimet inspektuese të ndërtimeve rreth lumit Burimi (Murzhica), të cilat ishin duke u ndërtuar në kundërshtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës, Ligjit për Mbrojtjten e Mjedisit, Ligjit për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, Ligjit për Parkun Kombëtar “Sharri”, si dhe Planin Hapësinor për po të njëjtin park.

Si pasojë e këtij mosveprimi, sipas aktakuzës, janë ndërtuar objekti hotelier dhe vikend-shtëpitë e NN “Stella Consuling”, objekti hotelier “Rimida” dhe vikend-shtëpitë me pronar Rijad Hasanin, objektet hoteliere “Rezonanca” (tani “Brezovica”) me pronar Arian Idrizaj dhe “Kaona Hotel”, po ashtu edhe vikend-shtëpitë e NN “Hit-Imperial” me pronar Fatmir Grainca, NN “Hic-Holing” me pronar Naser Kelmendin, NN “Fitorja”, si dhe ato të Blerim Imerit.

Me këtë, Çitaku, Halimi dhe Hyseni po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të lidhur me par.2,. nënpar.2.2. të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, Halimi akuzohet edhe se në kundërshtim me ligjin ka nxjerrë vendimin e 6 gushtit 2020, me të cilin ka anuluar aktvendimet administrative të Inspektoratit të Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtimit, si dhe vendimet e shkallës së dytë të komisionit të MMPH-së, me të cilat vendime ishin ndërprerë punimet në objektet ndërtimore hoteliere të “Rock” me pronar Hysein Ajdinin, NN “Stella Consullting”, NN “Kaona Hotel”, si dhe vikend-shtëpive të pronarëve Fatmir Grainca, Ruzhdi Aliu, e të tjerë.

Sipas aktakuzës thuhet se këto vendime ishin nxjerrë pas inspektimit të jashtëzakonshëm të Inspektoratit të Ministrisë, në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit dhe Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë.

Me këtë, Halimi akuzohet se ka kryer edhe veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.1 të KPRK-së, e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet./BetimipërDrejtësi/

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat