Në një deklaratë publike, lideri i opozitës Sali Berisha ka akuzuar qeverinë se po përdor Kodin e ri Penal si një mjet për “të shtuar dhunën ligjore mbi qytetarët” dhe për të mbrojtur figurat kyçe të sistemit aktual të drejtësisë. Ai e ka cilësuar këtë projekt si “narkokod i regjimit Rama”, duke pretenduar se nuk është hartuar me transparencë dhe pa konsultim me institucionet e drejtësisë, përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm.
“Ky kod nuk është diskutuar as me Prokurorin e Përgjithshëm. Ai vetë deklaroi se s’ka pasur asnjë dijeni. A nuk tregon kjo se është një produkt i mafies?”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, Kodi i ri parashikon burgime për çështje që prekin jetën e përditshme të qytetarëve – si për parkim, fatura të energjisë apo ujit, dhe ndërtime në tokë private – ndërkohë që “ul ndjeshëm dënimet për zyrtarët abuzivë”.
Berisha veçoi një nen të posaçëm të kodit, që sipas tij, është “hartuar për të mbrojtur” dy emra të përveçëm në drejtësi: kreun e SPAK, Altin Dumani, dhe gjyqtaren e GJKKO, Irena Gjoka.
“A ka ndonjë vend në botë ku qytetarët nuk kanë të drejtë të kritikojnë padrejtësinë që u bëhet në sallën e gjyqit? Ky është absurd!”, deklaroi ai.
Ish-kryeministri përmendi edhe pasuritë e deklaruara të Altin Dumanit dhe Altin Troplinit, duke hedhur dyshime për burimin e tyre dhe duke i konsideruar si “përfaqësues të mercenarëve të sistemit të inkriminuar të drejtësisë”.
Ai akuzoi median se po përdoret nga qeveria për të manipuluar opinionin publik, ndërsa paralajmëroi se Kodi i ri Penal përfaqëson një rrezik të madh për lirinë e shprehjes dhe opozitën politike.